Sequi: Politika të reflektojë për dialog

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi i ka bërë thirrje klasës politike të reflektojë për një bashkëpunim më të ngushtë për ta afruar vendin drejt Bashkimit Europian.
Në një konferencë për shtyp ku janë paraqitur edhe prioritetet e presidencës hungareze të Bashkimit Europian, kreu i delegacionit të BE-së Sequi theksoi se klasa politike duhet të reflektojë kolektivisht për të bashkëpunuar për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Duhet reflektim kolektiv. Klasa politike duhet t`i marrë seriozisht 12 rekomandimet e Bashkimit Europian. Reforma zgjedhore dhe dialogu politik mbeten sfidat e Shqipërisë për një qasje për në Bashkimin Europian” theksoi Sequi.
Duke e cilësuar liberalizimin e vizave si një arritje të madhe për Shqipërinë, Sequi theksoi se vendi ynë ka bërë progrese të mëdha dhe se ai do të jetë edhe dëshmitari i angazhimit të shqiptarëve në këtë proces.
Gjithashtu Sequi theksoi se një rëndësi të veçantë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian do të jenë edhe zgjedhjet lokale të 8 majit.
Duke i bërë thirrje forcave politike të angazhohen për një proces të lirë zgjedhor Sequi theksoi se cilësia e zgjedhjeve do të jetë me rëndësi për integrimin e vendit.