Haxhinasto: “Përparësitë e programit qeverisës të LSI-së”
Shaban Sulçe
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka bërë dje publike përparësitë e programit elektoral dhe qeverisës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë një konference për shtyp, Haxhinasto tha se LSI-ja ka përfunduar tashmë draftin e programit të saj për zgjedhjet e vitit 2009, i cili është konkludimi i një procesi të gjatë me angazhimin e strukturave të LSI-së, të specialistëve më të mirë e grupeve të interesit, si dhe vetë qytetarëve. Sipas Haxhinastos, përparësitë e LSI-së në këtë program janë: punësimi, lufta kundër varfërisë dhe garantimi i jetës së qytetarit. Ai tha se këto prioritete dhe vetë programi në tërësi i LSI-së do të synojnë rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve shqiptarë. “Propozimi ynë për qytetarët shqiptarë është një model thellësisht social në zhvillimet e vendit, me qëllim që rritja ekonomike e vendit të ketë efekte të menjëhershme te cilësia e jetës së qytetarëve, sidomos te shtresat më në nevojë”, - deklaroi kryetari i KDK-së së LSI-së.
Përparësitë
Haxhinasto tha se punësimi i shqiptarëve është objektivi madhor i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Më tej, ai renditi luftën kundër varfërisë dhe garantimin e jetës së qytetarëve, ndërkohë që theksoi se tre përparësitë e mëtejshme të LSI-së janë: zhvillimi i sektorit energjetik, i bujqësisë dhe turizmit.
“Punësimi është objektivi madhor i programit të LSI-së. Ne kemi qëllimin e punësimit të plotë të shqiptarëve brenda mandatit të ardhshëm. Lufta kundër varfërisë është një tjetër objektiv i yni shumë i rëndësishëm. Ne do të propozojmë paketën e bonusit jetik, një paketë parash në kesh, iniciativash fiskalë dhe politikash të tjera për të mbushur hendekun e madh që ekziston midis nivelit më të ulët të të ardhurave dhe minimumit jetik – pra atë të të ardhurave minimale që marrin sot 1 në çdo 5 shqiptarë. Prioriteti i tretë do të jetë garantimi i jetës së qytetarit, që do të përmbajë në tërësinë e politikave dhe masave rritjen e sigurisë së jetës së qytetarëve, në kushtet kur jeta e tyre është krejt e pasigurt. Këtu përfshihen të gjitha masat dhe politikat që rrisin sigurinë e jetës së qytetarëve, duke filluar me shëndetin, sigurinë ushqimore, mjedisin dhe sigurinë fizike”, - tha Haxhinasto.
Objektivat
Më tej, kreu i KDK-së së LSI-së shpjegoi se për arritjen e tre objektivave madhore në programin elektoral, LSI-ja do të përqendrohet në riparimin e pengesave, si zbatimi i ulët i ligjit dhe çështja e pazgjidhur e pronësisë, të cilat qeverisja aktuale dështoi t’i zgjidhë. “Për arritjen e këtyre tre objektivave madhorë, ne kemi zgjedhur një përqasje origjinale duke u përqendruar në riparimin dhe eliminimin e barrierave dhe pengesave, që kjo qeveri ka dështuar për t’i zgjidhur, siç janë zbatueshmëria e ulët e ligjit dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë. Ne gjithashtu kemi përcaktuar sektorët prioritarë që do të garantojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e prodhimit vendas në sektorë si energjia, bujqësia e turizmi, që do të zënë vend kryesor. Këtë program të LSI-së për zgjedhjet e vitit 2009 ne do ta paraqesim dhe në një cikël konferencash e takimesh që do të organizojmë në ditët në vazhdim. Kemi planifikuar rreth 30 takime që kanë të bëjnë me paraqitjen e propozimeve konkrete për çdo sektor”, - përfundoi Haxhinasto.
23 Janar 2009