ILKPD-ja, kallëzim penal për ambasadorin shqiptar në Hungari, fshehu 300 mijë euro
Nova nuk sqaroi saktësisht burimin e shumës financiare prej 300 mijë eurosh
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka bërë dje një kallëzim penal në Prokurori ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, Florian Nova. Sipas ILDKP-së, ambasadori Nova ka bërë deklarim të rremë, duke fshehur një shumë monetare prej 300.000 eurosh. “Në përfundim të kontrollit të plotë rezulton se subjekti Florian Ismail Nova, në deklaratat e interesave private ka fshehur pasurinë, ka pasqyruar të dhëna të rreme, si dhe nuk justifikon burimin e të hollave “cash” në shumën 300.000 euro, duke mospërmbushur në këtë mënyrë detyrimet ligjore që rrjedhin nga Neni 4 i Ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, si dhe nga Neni 15 i Ligjit Nr. 9367, datë 07.04.2005.
Për arsyet e sipërpërmendura, bazuar në Nenin 281 të K.Pr.Penale, paraqesim para jush këtë kallëzim penal duke kërkuar fillimin e procedimit penal për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga Neni 257/a/2 i K.Penal ndaj subjektit të deklarimit të interesave private Florian Ismail Nova, me detyrë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë”, - thuhet në kallëzimin që kryeinspektori i ILDPK-së, Adriatik Llalla, i ka drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ku gjithashtu vihet në dijeni kryeprokurorja Ina Rama.
Shuma
Sipas Inspektoratit, në deklarimin e vitit 2006, ambasadori Nova kishte deklaruar se pasuria e tij përpara emërimit në detyrë përbëhej nga një apartament banimi në qytetin e Kavajës si dhe nga një autoveturë e dhuruar prej vëllait të tij. Në deklaratat e pasurisë të vitit 2007, ILKPD-ja ka konstatuar rritjen e pasurisë së ambasadorit Nova në shumën prej 300 mijë eurosh, si dhe marrjen dhe shlyerjen e një kredie bankare prej 5 mijë eurosh. Sipas asaj që deklaronte Nova, shuma prej 300 mijë eurosh është dhuruar nga nëna e tij, pas shitjes së një prone private në Rumani. Megjithatë, pavarësisht këtij sqarimi, ILKDP-ja ka nisur hetimin administrativ për të verifikuar të dhënat e deklaruara në formularët e deklaratave të pasurisë të Novës dhe familjarëve të tij, ku sërish ka konstatuar mangësi. Sipas asaj që bëhet e ditur në kallëzimin penal, Nova ka dhënë shpjegime duke deklaruar se shuma prej 300 mijë eurosh i është dhuruar përpara vitit 2005, por edhe te ky pretendim i tij janë konstatuar sërish parregullsi.
Argumentet
ILDKP-ja ka renditur një sërë argumentesh, sipas të cilave ambasadori Nova ka shkelur ligjin duke bërë deklarim të rremë të pasurisë. “Subjekti gjatë pyetjes në ILDKP ndryshon burimin e krijimit të kësaj shume duke deklaruar se ajo vjen nga shitja e një prone në emër të nënës së tij në Rumani dhe kontributeve të tij dhe të vëllezërve të tij në Itali dhe jo nga kursimet e prindërve të tij, siç kishte pasqyruar në deklaratat e pasurisë dhe provat shkresore të dorëzuara prej tij në ILDKP. Subjekti deklaron se nuk disponon dokumentacion për shitjen e pronave në Rumani, edhe pse veprimet juridike në lidhje me pronësinë shoqërohen detyrimisht me aktet përkatëse. Subjekti nuk sqaron se përse një shumë e tillë e konsiderueshme nuk mbahet në institucionet bankare, por në mënyrë të pashpjegueshme në banesën e prindërve në Kavajë, duke patur parasysh faktin se që nga viti 2003 nëna e tij jetonte e vetme dhe prej mesit të vitit 2008 ajo nuk banon më në Shqipëri, por në Itali.
Nga ana tjetër, subjekti deklaron se nuk ka patur më parë dijeni për këtë shumë të hollash, ndërkohë që në procesverbalin e pyetjes në ILDKP pretendon se burimi i kësaj shume janë ndërmjet të tjerave edhe kontributet e tij dhe të vëllezërve të tij në Itali”, - thuhet në kallëzimin penal që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
23 Janar 2009