E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Shqipëria atraktive për bizneset e huaja

TIRANË- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar “Vjeshtë 2011”. Prezantimi i këtij tregu këtu me teknologjinë më të fundit tha Haxhinasto tregon se Shqipëria po bëhet një vend shume atraktiv për kompanitë e huaja.

“Prezantimi i risive dhe novacionit teknologjik në fushën e ndërtimit, është shumë domethënës, shumë cilësor dhe në fund të fundit tregon se tregu shqiptar është një treg me kërkesa të vazhdueshme, një treg që reflekton një konkurrencë gjithmonë e në rritje, gjë që e bën Shqipërinë një vend, i cili përfaqëson një nivel shumë të lartë zhvillimi industrial, ekonomik e tregtar",- theksoi Haxhinasto.

Haxhinasto nënvizoi se Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm përsa i takon tërheqjes së investimeve të huaja.

"Fakti që ajo në vazhdimësi garanton stabilitet, garanton vetë rritje ekonomike, tërheqje dhe kërkesë në tregun e saj të brendshëm, por dhe fakti shumë i rëndësishëm që Shqipëria është në një proces të vazhdueshëm integrimi në ekonomitë e rajonit, e bën tregun shqiptar shumë atraktiv për investimet e huaja dhe treguesit janë shumë të qartë",- theksoi Haxhinasto.

Panairi, që u çel sot paradite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nga kompania Expo-P.A, synon nxitjen e bashkëpunimit mes sipërmarrësve shqiptarë dhe atyre të huaj.

Në edicionin e trembëdhjetë të këtij Panairi të përvitshëm, vijnë në kryeqëndrën e vendit, krahas kompanive shqiptare edhe firma dhe shoqëri biznesi gjermane, greke, austriake, izraelite etj, që njihen në tregjet ndërkombëtare për teknologjitë e reja në sektorin e ndërtimit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›