E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Të mblidhet tryeza për Paktin Kombëtar

TIRANË Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e arritjes së një Pakti Kombëtar për t’i dhënë një frymë të re proçesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. ”Ne vlerësojmë se ky pakt, në formën e një marrëveshje të shkruar politike ose të një ligji, duhet realizuar sa më parë me qëllim që BE-ja dhe partnerët tanë evropiane të marrin një mesazh të qartë se angazhimi i partive politike, në mënyrë të veçantë i opozitës, nuk është lëvizje taktike, por është e vërtetë, dhe jep rezultate konkrete”, - tha dje zv-Kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto. Ai ka përshëndetur hapat e parë për fillimin e reformës zgjedhore, si një proçes transparent e gjithpërfshirës, që realizohet në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias. “Është gjithashtu shumë e rëndësishme të mblidhet sa më parë tryeza e Integrimit, për të adoptuar dhe zbatuar Planin Kombëtar për Integrimin Evropian, që përmban veprimet dhe ligjet që duhen miratuar në mënyrë prioritare. Mesazhet nga BE-ja, nga vendet partnere, ashtu siç u bë e qartë edhe nga dy ministrat e jashtëm Fratini e Lambrinidis pak ditë më parë, theksojnë se nevoja e arritjes së një Pakti për Evropën është themelore për një vlerësim pozitiv në Opinionin e BE-së për Shqipërinë në tetor të këtij viti”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›