E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Të mos spekulohet për shitjen e Albpetrolit

Ai tha se procesi është në fazën e shqyrtimit të ofertave dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim për shpalljen e fituesit.

“Komisioni do shqyrtojë ofertat e kompanive. Pas shqyrtimit të ofertave të kompanive do merret vendimi”, tha Haxhinasto. Ai ishte sot në hidrocentralin e Ashtës, ku inspektoi nga afër punimet, të cilat pritet të përfundojnë gjatë këtij muaji.

“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bën me dije opinionin publik se Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të Albpetrol Sh.a po shqyrton dhe vlerëson të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në ankandin e privatizimit të aksioneve të kompanisë Albpetrol sh.a. Gjithashtu, me përfundimin e këtij procesi shqyrtimi dhe në konsultim të vazhdueshëm me firmën amerikane të konsulencës Patton Boggs, do të bëhet edhe vlerësimi final përsa i takon ofertave të paraqitura në këtë ankand. METE, do t’ju informojë si zakonisht edhe në ditët në vazhdim në lidhje me ecurinë e këtij procesi deri në përfundimin e tij”, thuhej në deklaratën e një dite më parë nga METE.

Dy licenca për Ashtën

Në prag të përurimit të punës së hidrocentralit të ri të Ashtës në Qarkun e Shkodrës, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë dy licenca shoqërisë "Energji Ashta" sh.p.k. Burimet e ERE-s thanë se licencat janë për tregtimin e energjisë elektrike për 30 vjet dhe një për furnizues i kualifikuar të energjisë elektrike, çka i hap rrugë shitjes së saj edhe për bizneset e mëdha. Hidrocentrali i Ashtës, objekti më i ri energjetik në vend, që do të përurohet së afërmi, do të sigurojë furnizim të sigurt me energji për më shumë se 100 mijë familje në zonën veri-perëndimore.

E ndërtuar nga një konsorcium austriak që ka në përbërje kompanitë "EVN" dhe "VERBUND", provat e komisionimit të makinerive nisën në muajin prill fillimisht në stacionin elektrik Ashta 1. HEC-i i Ashtës me kapacitet 50 MW po ndërtohet me teknologjinë e re "Hydromatrix" nga kompanitë austriake, që kanë krijuar përvojën e tyre në zbatimin e saj. /Start/

                                                                                             2012-09-11 11:59
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›