E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Të ndalet dhuna ndaj popullit sirian

TIRANE- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë në Takimin e dytë të Grupit të Miqve të Popullit Sirian, që u mbajt në qytetin e Stambollit.

Ministri Haxhinasto shtroi nevojën për intensifikimin e presionit ndaj regjimit aktual të Damaskut, jo vetëm politikisht, por dhe nëpërmjet një aksioni të përqendruar të të gjithë mekanizmave ndërkombëtare.

Z.Haxhinasto theksoi qëndrimin e Qeverisë Shqiptare në mbështetje të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Lidhjes Arabe dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare në drejtim të ndalimit të dhunës ndaj popullsisë civile nga regjimi i Damaskut dhe krijimit të kushteve për një proces demokratik. Ai përshendeti misionin e të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara z. Kofi Anan dhe planin e tij për dhënien fund të gjakderdhjeve dhe të dhunës, arritjen e pajtimit kombëtar dhe krijimin e një qeverisjeje demokratike në Siri.
Në përfundim, Ministri Haxhinasto theksoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për opozitën demokratike siriane, të përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar Sirian, si dhe luftën e saj për liri, dinjitet njerëzor dhe progres.

Gjatë punimeve të takimit, Ministri Haxhinasto, zhvilloi një numër takimesh me homologë të tij të vendeve të tjera. Në këtë takim ishin të pranishëm 81 delegacione qeveritare nga vende të ndryshme të botës dhe nga një numër organizatash ndërkombëtare. Takimi kishte në fokusin e tij solidaritetin me aspiratat legjitime të popullit sirian për demokraci dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe angazhimin për realizmin e një tranzicioni paqësor për vendosjen e një regjimi demokratik në Siri.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›