E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Marrëdhënie më e ngushtë biznes-bankë, ekspertët: Stimulon ekonominë

TIRANE- Pak ditë më parë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se marrëdhënia mes bankave dhe biznesit duhet të kalojë në një tjetër nivel. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se kjo lidhje duhet të jetë më e ngushtë veçanërisht këtë vit kur efektet e krizës do të intensifikohen.

“Tashmë ajo që kërkohet nuk është thjesht një njohje reciproke e strategjive të një biznesi siç janë bankat apo një biznesi tjetër siç mund të jenë bizneset prodhuese tregtare apo konsumatore por edhe një bashkëpunim më i mirë i tyre në mënyrë që paratë të përdoren me efiçencën maksimale dhe të shmangim çdo lloj rreziku. Biznesi duhet të vazhdojë të jetë shumë më i interesuar se deri tani për modelin e biznesit apo për strategjitë që kanë bankat kryesore në vend që janë furnizueset kryesore të tij”, shprehet specialisti Ardian Civici.

Banka e Shqipërisë ka konstatuar se në janar kredia u rrit me 9.9 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Bizneset kanë kërkuar më shumë kredi për kapital qarkullues dhe financim të konsumit se sa për investime.

Guvernatori Fullani iu bëri apel bizneseve që të rrisin kërkesën për kredi, si një mënyrë për të financuar ekonominë. Sipas Bankës së Shqipërisë, këtë vit rritja ekonomike do të varet nga konsumi dhe investimet private.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Forcohet euro, sot këmbehet me 140.3 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›