Haxhinasto fton biznesin brazilian të investojë në Shqipëri
TIRANE- Në vijim të vizitës zyrtare në Brazil, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, ishte i pranishëm në forumin e parë të Biznesit Shqipëri-Brazil, i cili u mbajt në Sao Paolo. Haxhinasto pati takime me përfaqësues te Federates se Industrisë e Shtetit të San Paolos dhe të Shoqatës së Konsujve në Brazil. Forumi i biznesit midis dy vendeve është i pari i këtij lloji organizuar në Brazil. Në fjalën e tij përshëndetëse Haxhinasto deklaroi se Shqipëria ka krijuar një klimë të favorshme për biznesin e huaj dhe atë vendas. “Kjo, bazohet në një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe në një performancë ekonomike që është vlerësuar edhe nga institucione ndërkombëtare. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e konsoliduar dhe mjaft dinamike, e cila ofron mundësi investimi dhe bashkëpunimi për biznesin brazilian”.- u shpreh Haxhinasto. Gjatë punimeve të Forumit të Biznesit midis dy vendeve, shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi një takim edhe Zv.Presidenin e FIESPA-s, zJoao Guilherme Sbino Ometto me të cilin u diskutua mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të tilla si: infrastruktura, energjia e rinovueshme, burimet minerare, turizmi, agrobiznesi, produktet farmaceutike dhe petrokimie, etj. Gjatë qëndrimit në Sao Paolo, Haxhinasto pati takime në Shoqatën e Konsujve të Brazilit, si dhe me Konsujt e Nderit të Shqipërisë në Bazil. Po ashtu, z. Haxhinasto mori pjesë edhe në disa aktivitete të organizuara nga Konsujt e Nderit të Shqipërisë në Brazil.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)