E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto në Çikago: NATO të mbështesë aspiratën e Kosovës

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në këtë Samit, u ritheksua edhe një herë, angazhimi i Aleancës për politikën e dyerve të hapura, duke dhënë një mesazh pozitiv dhe inkurajues për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO.

Gjatë punimeve të Samitit, Haxhinasto mori pjesë në aktivitetin organizuar nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, si dhe në takimin  e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Aleancës me vendet partnere Mal i Zi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Gjeorgji.  Në ministerialin e drejtuar nga Sekretarja Klinton, u diskutua mbi zgjerimin e Aleancës, si dhe për forcimin dhe zgjerimin e partneriteteve të Aleancës me vendet e tjera. Sipas Haxhinastos "duke përcjellë një mesazh të qartë për zgjerimin, këto vende do të ndihmohen më tepër, si dhe do të jenë më të motivuara për të progresuar më tej me reformat që kanë ndërmarrë".

"Nuk duhet të lejojmë vakume sigurie në rajon", tha ai. "Në këtë aspekt, duhet që Aleanca të mbetet e angazhuar dhe e fokusuar në Kosovë. Kosova kërkon një marrëdhënie më të ngushtë me NATO-n, ndërsa jemi të bindur se Aleanca duhet të avancojë më tej marrrëdhënien me Kosovën. Ne jemi bindur se kjo gjë është në interes të stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. Marrëveshja e arritur për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale, është një rrugë praktike për të mundësuar pjesëmarrjen e Kosovës te aktivitetet rajonale të drejtuara nga NATO", tha ai.

Në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës me 4 vendet aspirante, Mal i Zi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Gjeorgji, e cila mbahej për herë të parë në këtë format, z. Haxhinasto theksoi në fjalën e tij se, Aleanca duhet të vazhdojë politikën e dyerve të hapura për 4 vendet, si detyrime morale, politike dhe praktike ndaj këtyre vendeve. Është angazhimi i Aleancës në rajonin tonë që ka sjellë atë që ky rajon sot, të jetë një rajon më i mirë e më i sigurt.

Ne jemi të bindur, tha ai, se njohja e këtij realiteti bën që këto vende të jenë më afër Aleancës. Në këtë kuadër, tha Haxhinasto, është koha tashmë që të marrim në konsideratë edhe aspiratën e Kosovës për të krijuar një marrëdhënie partneriteti me Aleancën. Jemi të bindur, tha ai, se është shumë e rëndësishme që Aleanca të mbështesë këtë aspiratë të Kosovës, për t’iu bashkuar Aleancës. Gjatë punimeve të Samitit, Haxhinasto pati takime pune dypalëshe me ministrat e Jashtëm të Francës, Danimarkës, Islandës, Gjeorgjisë,  Zelandës së Re, etj.

Gjithashtu, ai pati një takim edhe me Sekretaren e Shtetit amerikan, Hillari Klinton, ku u diskutua për zhvillimet politike në Shqipëri, në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE. Ministri i Jashtëm, Haxhinasto falënderoi Sekretaren e Shtetit amerikan, Klinton për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në realizimin e reformave që kërkon procesi i integrimit./Start/

                                                                                             2012-05-22 16:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›