Haxhinasto në Kanada: Koha për më shumë investime në Shqipëri

Ministri i Jashtem shqiptar, Edmond Haxhinasto
Në vijim të vizitës së tij në Kanada, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të shtetit kanadez dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.
Haxhinasto është pritur nga kryetari i Senatit, Noel A. Kinsella, kryetari i Dhomës së Ulët Andreë Scheer, ministri i Punëve të Jashtme, John Baird; sekretari parlametar për Tregtinë Ndërkombëtare, Gerald Keddy, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit kanadez, Dean Allison.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë s ëJashtme, në takimin me kryetarin e Senatit është diskutuar për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve drejt Kanadasë, për të cilën Kinsella ka dhënë mbështetjen e tij të plotë, si dhe garancinë se do të punojë në Parlament për të mundësuar një gjë të tillë. Po ashtu, dy bashkëbiseduesit vlerësuan si mjaft të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, duke u mundësuar studentëve të dy vendeve të studiojnë në vendet respektive.
Pas takimit, Haxhinasto dhe Kinsella kanë marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit të bustit të Nënë Terezës, Senatit kanadez, si dhuratë e qeverisë shqiptare. Në këtë ceremoni morën pjesë deputetë, miq të Shqipërisë si dhe një përfaqësi e komunitetit shqiptar në Kanada.
Në vijim të takimeve të tjera, temë e bisedës kanë qenë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon etj.
Haxhinasto ka kërkuar intensifikimin e e marrëdhënieve dypalëshe sidomos në aspektin ekonomik, përmes investimeve kanadeze në Shqipëri kryesisht në fusha si: energjia, infrastruktura, turizmi, burimet natyrore, miniera, naftë e gaz.
Lehtësimi i lëvizjes, ishte një nga temat e diskutuara në takim. Ministri Haxhinasto kërkoi që pala kanadeze të vlerësojë mundësinë për të lehtësuar procedurat për vizat për shqiptarët.
Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kanada, sepse do të ruajnë më tepër lidhjet me Shqipërinë dhe të afërmit e tyre. Lehtësimi i vizave, – tha Haxhinasto, – mund të fillojë me kategori të caktuara dhe më tej të shtrihet për të gjithë qytetarët, praktikë që është përdorur edhe me vende të tjera. / G.N.