E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhiosmanovic këmbëmbarë, Fortunat në spital

Vllaznia e trajnerit Haxhiosmanovic shkatërroi 5-1 Besën e Kavajës, që luajti për më shumë se 50 minuta me nëntë lojtarë pas largimit me karton të kuq fillimisht të kapitenit Andi Lila dhe më pas të mbrojtësit shqiptar nga Maqedonia, Zekeria Ramadani.
Pas anulimit të golit të Besës së shënuar nga haitiani me pasaportë franceze, Herbi Fortunat, erdhi goli i realizuar nga kongolezo-gjernani Sasa Delain në të 22'. Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultatin 1-0, ndërkohë që fraksioni i dytë kishte tërësisht ngjyra kuqeblu. Mesfushori i avancuar Albert Kaci dyfishoi shifrat për Vllazninë në minutën e 50-të. Shqiptari nga Maqedonia, Artimi Shaqiri fitoi penallti në minutën e 54-t, të cilën e realizoi po vetë, duke i dhënë shpresë trajnerit të Besës, Sulejman Starova për ta cuar të paktën ndeshjen në shtesa.
Llogaritë e presidentit Bizhdili ranë përfundimisht kur sulmuesi i Kombëtares U-21, Xhevair Sukaj realizoi golin e tretë në minutën e 63-të, për t'i lënë radhën kosovarit Jusufi për të shënuar dy gola rresht në limitin e ndeshjes: 88' dhe 91', duke i siguar Vllaznisë një fitore 5-1 dhe njëherësh një vend në katër më të mirat e Kupës.
Me Vllazninë bëri debutimin edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elvin Beqiri, i cili zëvendësoi kongolezo-gjermanin Sasha Delain, i cili u largua mes duartrokitjeve. Beqiri nuk aktivizohej në një ndeshje futbolli prej më shumë se 10 muajsh pas thyerjes së kmëbës në kampionatin ukrainas.
Vllanzia, 5 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, arriti fitoren e 8-të direkte në 18 ndeshjet kundër Besës nga përballja e parë në vitin 1972, si dhe regjistroi kualifikimin e 8-të kundrejt 1 të kavajsve.
Skuadra shkodrane merr pjesë për herë të 25-të në gjysmëfinale, ndërkohë që Vllaznia ka marrë pjesë 11 herë në finale. Gjatë rrugës së saj për të zenë nëj vend midis katër më të mirave të Shqipërisë, Vllaznia eliminoi në turin e parë Naftëtarin (3-2, 6-1), në turin e dytë Besëlidhjen (1-0, 0-0) dhe tani në të tretin Besën (2-2, 5-1).
Fushaj: "Nuk kam preferenca për kundërshtarin"
Presidenti i Vllaznisë, Fushaj mbeti shumë i kënaqur nga kualifikimi, por nuk e konsideroi se kjo ishte një meritë e trajnerit malazias. "Ai ka vetëm tri ditë në bankinë, por besoj se ka qenë këmbëmbarë. Vllaznia në Europë? Pse jo, rruga është e hapur. Debutimi i Elvin Beqirit? Një plus i madh për Vllazninë, presim të 100 për qind i gatshëm pas dy ndeshjesh. Preferenca për kundërshtarin në gjysmëfinale? Mendoja për Teutën, por tani që Elbasani u kualifikua, të gjitha skuadrat janë të barabarta, për më tepër që është short i lirë", - përfundoi presidenti i Vllaznisë, Fushaj per "Radio Sport".
E vecanta
Sulmuesi i Besës, Herbi Fortunat, pati dhimbje të forta barku dhe u cua urgentisht në spitalin e Shkodrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›