Mema i kënaqur, kualifikimi formalitet

Tirana, edhe pse barazoi 1-1 me Kastriotin, nuk e pati të vështirë kualifikimin, kjo falë fitores 3-0 në ndeshjens e parë me krutanët, duke siguruar pjesëmarrjen për herë të 29-të në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Kampionët në fuqi dhanë sinjalin e parë me Florenc Arapin në minutën e 6-të, kur sfera e goditur prej tij përfundoi pak centimetra mbi trekëndëshin e portës krutane të mbrojtur nga ish-portieri i Tiranës, Glendi Tafaj.
Fantazisti veteran i Tiranës, Devi Muka, ende jo i rikuperuar plotësisht ndodhej në tribunën Vip të "Selman Stërmasit" (rreth 200 shikues), por në fushën e lojës mbretëroi loja plot zgjuarsi e talentit 20-vjecar të Kombëtares, Jahmir Hyka. Lojtari i Shpresave, Erbim Fagu dha një pas të artë dhe Hyka e shndërroi në gol në minutën e 13-të.
Kastrioti (pa president) mbërriti në kryeqytet me pesë ish-lojtarë të rritur te Tirana apo që kanë veshur fanellën e saj , Grami, Turdiu, Kalari, Sokol Bulku e Rizvanolli, ku ky i fundit shënoi edhe golin për ekipin e Ramadan Ndreut.
Tirana, 19 herë finaliste dhe 13 herë fituese të Kupës, ka qenë një nga ekipet me më shumë fat gjatë rrugës së saj. Eliminoi në turin e parë Butrintin (2-2, 4-2), në të dytin Lacin (1-1, 3-1) dhe në turin e tretë Kastriotin (3-0, 1-1).
Gjysmëfinalet e edicionit të 56-të Kupës së Shqipërisë do të luhen në datat 9 dhe 23 prill dhe shorti do të jetë i lirë. Finalja do të luhet, më 7 maj në një fushë asnjanjëse.