E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tymi, ai i "dorës së tretë" është rreziku i ri

Zakonisht prindërit që tymosin shpesh hapin një dritare ose ndezin ventilatorin për të pastruar ajrin në dobi të fëmijëve të tyre, por ekspertët kanë identifikuar një rrezik të ri edhe më të madh për shëndetin e të vegjëlve, nga i cili nuk është e thjeshtë për të shpëtuar: "tymi i dorës së tretë". Ky është termi i duhur për të përshkruar një përzierje të padukshme e tepër toksike gazi e grimcash, të cilat qëndrojnë në flokët dhe veshjet e atyre që tymosin (për të mos folur më pas për rrobat, mbulesat, tapetet e batanijet në përgjithësi). Mes mbeturinave të tymit ka metale të rënda, agjentë kancerogjenë dhe substanca radioaktive që gjenden në duart e fëmijëve të vegjël, zakonisht kur ata janë në moshë të vogël dhe luajnë në dysheme. Imagjinoni se çfarë ndodh kur të vegjlit i fusin duart në gojë pa vetëdije? Mjekët e një spitali për fëmijë në Boston kanë krijuar termin "tymi i dorës së tretë" për të treguar tërësinë e këtyre substancave kimike për një studim të ri, i cili përqendrohet kryesisht te rreziqet që shkakton te fëmijët e vegjël dhe te të sapolindurit. "Tashmë të gjithë e dimë se tymi pasiv është i dëmshëm, por shumë pak persona e njohin këtë rrezik", është shprehur autori kryesor i studimit dhe profesor i deleguar në "Harvard Medical School". "Kur fëmijët nuk ndodhen në shtëpi, prindërit mendojnë se mund të tymosin në shtëpi, ose makinë pa kurrfarë problemi. Ndonjëherë e kanë ndërgjegjen e pastër, sepse kur tymosin në makinë e lënë dritaren hapur. Kështu, ata janë të bindur se tymi pasiv nuk i prek", ka shpjeguar më tej ai. "Na është dashur të gjejmë një term të përshtatshëm për të përcaktuar toksinat e duhanit që janë të padukshme dhe arritëm në këtë konkluzion "tym i dorës së tretë". Për shembull mund të përcaktohet në këtë mënyrë ajo që nuhatet në ashensor, ose në një dhomë hoteli kur dikush ka tymosur aty brenda. Nuhatja nuk gënjen: substancat janë aq toksike saqë është vetë truri ai që të tregon se çfarë të bësh. ‘Largohu‘, kështu të thotë", përfundon eksperti.

Për këtë studim janë analizuar veset (mbi duhanin) e 1500 familjeve të ndryshme që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Është zbuluar se pjesa më e madhe e duhanpirësve dhe atyre që nuk e konsumojnë duhanin janë të vetëdijshëm se tymi pasiv është i dëmshëm për fëmijët. Rreth 95 për qind e jo duhanpirësve dhe 84 për qind e duhanpirësve bashkohen me pohimin në vazhdim: "Të thithësh tymin e prodhuar nga cigarja e një individi mund të rrezikohet shëndeti i fëmijëve, ose i të sapolindurve". Gjithsesi, numri i vogël i atyre personave që i janë nënshtruar studimit, i njohin rreziqet të cilat lidhen me "tymin e dorës së tretë".

Studiuesit u kanë kërkuar personave të ndryshëm nëse ishin dakord me këtë shprehje: "Ajri i një dhome në të cilën një ditë më parë dikush ka tymosur aty brenda, mund të dëmtojë shëndetin e fëmijëve dhe të të sapolindurve". Me këtë shprehje ka qenë dakord vetëm 65 për qind e joduhanpirësve. Gjithashtu edhe 43 për qind e duhanpirësve e ka aprovuar këtë gjë, por studiuesit e kanë interpretuar përgjigjen e tyre, si një pranim i rreziqeve të tymit të dorës së tretë. Gjatë studimit të tyre, shkencëtarët kanë zbuluar se tymi pasiv dëmton shëndetin e fëmijëve dhe nuk bën përjashtime nëse prindërit e pinë duhanin në shtëpi, ose në makinë me dyer të hapura. Nga ana tjetër, opinioni që tymi i dorës së tretë është i dëmshëm, rrit probabilitetin e atyre që në sondazhe janë shprehur të gatshëm ta ndalojnë duhanin brenda mureve të shtëpisë. "E gjithë kjo na jep një mesazh të rëndësishëm, që lidhet ngushtë me shëndetin: pasi e kemi dëgjuar të përsëritet shumë herë se është mjaftueshëm të ndezim një ventilator për të zhdukur çdo gjurmë të duhanit, kemi kuptuar se shumë persona e mendojnë se tymi pasiv nuk përbën ndonjë rrezik. E dinë që u bën keq, por mendojnë se kanë gjetur mënyrën e duhur për ta mbajtur larg".

Të dhënat mbi studimin janë mbledhur me një sondazh telefonik në vitin 2005 mes muajve shtator-nëntor. Një pediatër që drejton "Environmental Health Center" në Nju Jork, ka theksuar se shprehja "tymi i dorës së tretë" është një term i shpikur kohët e fundit dhe se ka nënkuptime precize mbi këtë sjelle. "Mesazhi më i rëndësishëm është që nëse pjesëtarët e familjes janë duhanpirës, mund ta konsumojnë atë në ambientet jashtë shtëpisë, me qëllim që të mbrojnë fëmijët nga efektet e rrezikshme të tymit. Substancat kancerogjene që gjenden te tymi i dorës së tretë janë një rrezik konkret për këdo që ka kontakt me të, pavarësisht nga mosha", shpjegon ai. Mes substancave të pranishme te tymi i dorës së tretë është cianuri i hidrogjenit, që përdoret tek armët kimike, butani, i përdorur si lëndë e djegshme te çakmakët, plumbi, monoksidi i karbonit, tolueni, polon-210, substanca kancerogjene radioaktive që është përdorur për të vrarë ish-spiunin rus Alexander V. Litvinenko në 2006-ën. Të gjitha substancat që ndodhen te "tymi i dorës së tretë" janë kancerogjene.

Vdekjet nëpër botë të shkaktuara nga tymi

Shifrat

3 milionë në 1990-ën

4 milionë në 1998-ën

8,4 milionë (parashikimi i OBSH-së për vitin 2020. Në vitin 2030 numri i vdekurve nga tymi do të jetë 10 milionë)

Duhanpirësit në botë

1,1 miliardë, 800 milionë prej të cilëve jetojnë në vendet në zhvillim

70% e konsumit të duhanit ndodh në vendet me paga të ulëta

Tymos një e treta e popullsisë mbi moshën 15 vjeç

Duhanpirësit në vendet e industrializuara

42% e meshkujve

24% e femrave



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›