Reali nje makine golash dhe nje makine kartonash te kuq

Me përjashtimet ndaj Vijarealit, shkon në 23 numri i të kuqeve dhënë për të bardhët e Madridit, madje ajo që i numëron, pra gazeta “Marka”, ndoshta harrron kartonin e Gonzalo Higuainit si dhe lë jashtë kartonat e kuq të vetë Murinjos, që është përjashtuar në disa raste.
Gjithsesi, le të bazohemi tek shifra 23. Përsa i përket lojtarëve, seriali i përjashtimeve nisi më 21 shtator të vitit 2010, në fitoren 3-0 të Realit ndaj Espanjolit, kur i përzgjedhuri i gjyqtarit ishte Pepe. Pasi të tjerë të kuq u morën ndaj Mursisë dhe dy herë ndaj Ajaksit në Champions, erdhi kulmi i tensionit në përballjen e famshme të “Manitës” me Barcelonën në “Kamp Nou”. Pasi ishte fiksuar rezultati 5-0 për vendasit, Sergio Ramosi u përjashtua për një faull tepër të rëndë ndaj Mesit.
Pavarësisht se përjashtimet kanë ndodhur në ndeshje nga më të ndryshmet dhe me kundërshtarë të çdo lloj cilësie, sërish ato më pikantet mbeten me Barcelonën. Kështu ndodhi në “El Klasikot” e famshëm të prillit të vjetshëm, kur radhazi morën kartona të kuq Albiol në kampionat më 16 prill, Di Maria në Kupën e Mbretit 4 ditë më pas dhe Pepe në Champions më 27 prill. Në atë ndeshje, u përjashtua edhe Murinjo, madje u mbyll nga gjyqtari në një kafaz.
Mallkimi ndaj katalanasve vazhdoi edhe në ndeshjen e dytë të Superkupës, humbur 2-3 në “Kamp Nou” ku Ozul dhe Marselo morën urdhërin për të braktisur fushën, ndërsa Murinjo më pas u përfshi në një skandal duke sulmuar ndihmësin e Guardiolës, Tito Vilanova.
Për të mbetur tek “El Klasikot”, kemi edhe të kuqen e Sergio Ramosit në barazimin 2-2 në Kupën e Spanjës në Barcelonë, barazim që kualifikoi skuadrën “blaugrana” për në gjysmëfinale.
Në total, Pepe dhe Sergio Ramosin kryesojnë këtë renditje aspak dinjitoze me nga 4 të kuqe secili, ndërsa mbrojtësi i kombëtares së Spanjës ka edhe rekordin e lojtarit më shumë të përjashtuar në historinë e Realit, me 21 të kuqe.
Në një moment analize, gazeta “Marka” shkroi pas bëmave që ndodhën në Vijarreal, se u takon lojtarëve të marrin timonin e përgjegjësisë, pasi Murinjo shumë shpesh e lë veten të bjerë pre e nervozizmit.