E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hejnkes trajneri i Bajernit

Me sezonin 2010-2011 krejtësisht për t’u harruar, te Bajerni i Mynihut ekziston ndjesia që po nis gjithçka nga e para. Bavarezët kanë zbritur për herë të parë në fushën stërvitore nën urdhrat e trajnerit Jup Hejnkes, i cili nis në këtë mënyrë etapën e tretë me skuadrën më të suksesshme të Gjermanisë. 66-vjeçari punoi me Leverkusenin në sezonin e kaluar.

Ai e nisi karrierën si futbollist me Borusian e Myshengladbahut në vitin 1963 dhe pasi u ngjit në kategorinë e parë kaloi te Hanoveri. Te kjo skuadër qëndroi për dy sezone, pastaj u rikthye në Mynshengladbah ku fitoi katër kampionate dhe Kupën UEFA në vitin 1975.

Ai është golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Bundesligës, teksa e ka tundur rrjetën 220 herë. Më mirë se ai kanë bërë vetëm Klaus Fisher dhe Gerd Myler. Hejnkes luajtur gjithashtu 39 ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë Perëndimore dhe ishte pjesë e ekipit që mori pjesë në botërorin 1974. Në 1979, ai u tërhoq nga futbolli dhe u bë trajneri i Gladbahut për tetë sezone radhazi. Nuk është hera e parë që Hejnkes merr drejtimin e Bajernit.

Ai u bë trajner i bavarezëve edhe në 1987-n dhe fitoi dy tituj radhazi në 1989 dhe 1990. Në mesin e viteve 90, Jup provoi karrierën jashtë Gjermanisë dhe drejtoi Realin e Madridit. Epoka e tij e dytë te Bajerni ishte në prill të 2009-s, kur mori vendin e Jurgen Klinsmanit, por u largua vetëm dy muaj më vonë për të punuar në Leverkusen. Tani rikthehet për herë të tretë, pasi ka firmosur një kontratë dy-vjeçare për të zëvendësuar Luis Van Galin. Bajerni e mbylli në vendin e tretë kampionatin e kaluar dhe do të marrë pjesë në fazën “play off” të Championsit. Ndeshja e parë zyrtare për gjigandët do të jetë më 6 gusht ndaj Borusias së Myshengladbahut.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›