Ligji i ri, kushtet për tri kategori lejesh të reja mjedisore
Sistem të ri për të marrë leje mjedisore. Këtë parashikon Drafti për Mjedisin. Ato do të jenë të ndara në tri kategori dhe do të jenë të përcaktuara qartë kriteret për t’i përfituar. Gjithçka e bëri me dije Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë diskutimit të këtij projektligji, me specialistë që merren me hartimin e politikave të kësaj fushe. “Projektligji synon të disiplinojë veprimtaritë që ndotin mjedisin, nëpërmjet vendosjes së një sistemi lejesh të ndara në tri kategori, A, B dhe C, në varësi të përmasave të veprimtarisë dhe sasisë së shkarkimit në mjedis, efekteve të ndotjes. Përcakton qartë kriteret e përfitimit të lejeve mjedisore dhe kërkon zbatimin e teknikave më të mira të mundshme për kapjen dhe kontrollin e ndotjes, koncept që futet për herë të parë në Shqipëri”, tha Mediu. Po kështu me anë të ligjit të ri, që pritet të miratohet, do t’u krijohen hapësira investitorëve të huaj, që investimet teknologjike, të jenë të standardeve europiane. Subjektet për herë të parë duhet të bëjnë vetëmonitorimin e shkarkimeve të mbetjeve. Po kështu projektligji përcakton qartë kriteret e përfitimit të lejeve mjedisore dhe kërkon zbatimin e teknikave më të mira të mundshme për kapjen dhe kontrollin e ndotjes. Ky është një koncept që futet për herë të parë në Shqipëri dhe që synon investime në teknologji moderne dhe bashkëkohore, sa u takon shkarkimeve në mjedis. Nga sa bën me dije zyra e marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Mjedisit, kjo përqasje e projektligjit do të shmangë nxitimet momentale të investitorëve dhe do të mundësojë që investimet teknologjike të jenë të standardeve europiane. Në këtë mënyrë garantohet mbrojtje e mjedisit dhe zhvillim i qëndrueshëm i biznesit, pa pasur nevojë për rinovime teknologjike të shpeshta. Projektligji përforcon instrumentet monitorues të zbatimit të lejes mjedisore nga operatorët si dhe sanksione të rrepta për ata që i shkelin ato.