E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hekurudha rrit shifrat e transportit të mallrave

13/04/2009  Rikonstruksioni i linjës me Malin e Zi

DURRES- Rikonstruksioni i korridorit hekurudhor që lidh vendin tonë me Malin e Zi i ka dhënë hekurudhës shqiptare dhe biznesit vendas fitime të konsideruara. Pas analizës së bërë nga shoqëria e hekurudhës, mësohet se brenda vitit 2008 është bërë e mundur të realizohen 64 milionë tonë mall eksport-impor, duke shënuar në këtë mënyrë shifrën më të martë që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes për transportin e mallrave me shtetin fqinj në Veri të vendit. Gjatë vitit 2008 në linjën e korridorit hekurudhor të Veriut janë realizuar 236 mijë tonë mall, nga vetëm 40 mijë tonë mall në vitin më të mirë para 2005-s. Drejtoria e infrastrukturës dhe shërbimit në këtë shoqëri ka bërë të qartë se qarkullimi deri në 6 herë më shumë i mallrave është bërë e mundur në saje të investimeve në rrjetin hekurudhor, garancisë së transportit, mirëmbajtjes së linjave dhe respektimit të kohë të kontratave. Po ashtu është theksuar se për kompanitë që nënshkruajnë kontratë eksport-importi janë shkurtuar ndjeshëm detyrimet burokratike. Ajo që mbetet çështje serioze për palën e hekurudhës shqiptarë është cilësia ende e dobët që afrojnë vagonët e mallrave. Pjesa më e madhe e këtyre vagonëve i përkasin Luftës së Dytë Botërore dhe mungesa e pjesëve të këmbimit ka shtyrë ofiçinën të përshtatë pjesët e këmbimit. Saktësisht nuk është folur se kur këta vagonë do të dalin jashtë përdorimi, por është thënë se pjesë-pjesë ata po zëvendësohen me të rinj. Hekurudha në drejtim të shërbimit të transportit ka rritur dukshëm treguesit, por sipas vet shoqërisë humbjen në transportin e udhëtarëve janë të konsideruara. Nga përllogaritjet e bëra është thënë se kostoja është 3.8 euro për kilometër /udhëtarë dhe 4.2 euro për kilometër mall. Linja nga Durrësi drejt Bajzës së Shkodrës dhe nyjës së lidhjes me sistemin ndërkombëtar të hekurudhave është rikonstuktuar. Kjo ka rritur interesin e biznesmenëve, të cilët kanë lidhur kontratë për eksport dhe import në të dyja anët e kufijve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›