E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Gjergji: Plastika, medium i pasur për artin bashkëkohor

>Studentët e arteve vijnë me një ekspozitë plastike. Kuratori tregon për idenë dhe realizimin e këtij projekti
Gatimi i brumit për bukë, vjen si aludim me dashurinë. Me këtë projeksion studentja e grafikës në Akademinë e Arteve, Labeata Limani është paraqitur në ekspozitën Plastika, e cila u hap mbrëmë në mjediset e Galerisë së Akademisë së Arteve. Janë 15 studentë të Fakultetit të Arteve Figurative, të cilët nën drejtimin e profesor Helidon Gjergji, i cili ka ardhur i ftuar nga Amerika, kanë prezantuar punimet e tyre në këtë ekspozitë. Janë të gjithë të rinj, të cilët kanë marrë plastikën si një medium me një potencial të pasur për ta përdorur në artin e tyre bashkëkohor. Studentët pjesëmarrës janë përzgjedhur nga atelietë dhe vitet e ndryshme. Studentja Limani duke folur mbi punën e saj tregon se ajo në këtë ekspozitë ka prezantuar tre punë. Pa titullështë një projektim i brumit. Atë unë po e gatuaj dhe ai vjen si një aludim me dashurinë. Ka një farë dashurie në prekjen e brumit, pra unë e sjell dashurinë me gatimin e një brumi, që duket tek mënyra se si prek, se si mbushen duart etj. E gjitha kjo është brenda kontekstit të plastikës, tregon studentja  e vitit të tretë Limani. Një tjetër projekt interesant është dhe ai me titull Pula, e cila pasi është blerë në treg, është përdorur për të qenë pjesë e një videoje për ekspozitën Plastika. Projekti fillimisht ishte një pulë plastike, që bënte vezë të vërteta, më pas duke u takuar me kuratorin Helidon Gjergji që na ndihmoi, ne menduam që më mirë të marrim një pulë të vërtetë, e cila do të bëjë vezë plastike,tregon ajo. Një tjetër punë në këtë ekspozitë nga studentja Limani është dhe një fytyrë njeriu e cila vjen për publikun me dhjetë mimika të saj, për të cilën ajo tregon se këto përshtaten më së miri dhe me temën e ekspozitës. Kuratori Helidon Gjergji i ftuar nga Amerika tregon se ka punuar për këtë ekspozitë, që në fillim kur ka ardhur në Shqipëri. Fillimet e kësaj ekspozite ishin që kur unë mbërrita këtu. Kalova në klasa të ndryshme dhe u interesova për idenë në klasën e skulpturës dhe qeramikës. Është shumë interesante si lëndë, prandaj unë mendova që të hap idenë e plastikës më në gjerësi siç ekziston me të vërtetë. Studentët besoj se janë prezantuar shumë mirë. Unë ata mund ti quaj artistë të rinj, tregon kuratori i Plastikës, duke shtuar se: Unë gjatë kohës që kam qenë këtu e kam ndarë kohën në tre seksione. Një ku zhvilloja debate dhe seminare. Një tjetër ishte kur unë flisja me studentë për projektet e tyre të punës, dhe e treta ishte ekspozita, e cila në fillim nisi si ide dhe më në fund u konkretizua. Kuratori i ekspozitës, Helidon Gjergji aktualisht e zhvillon aktivitetin e tij në Amerikë. Duke treguar për jetën e tij dhe artin, ai shprehet se arti bashkëkohor në vendin tonë, por arrin gjithmonë dhe më shumë nivel. Në Çikago kam dhënë mësim, por dhe kam zhvilluar profesionin tim prej artisti. Është e vështirë që të bësh një krahasim meqenëse dimensionet në art janë të ndryshme. Ne në demokraci kemi histori të ndryshme, por po ta shikosh nga ana e përqindjes mund të themi se arti bashkëkohor në Shqipëri ka përmasa dhe hapa të jashtëzakonshme. Jemi një popullsi me tre milion banorë, dhe të kesh artistë që ekspozojnë mediume të ndryshme, për mua kjo është një arritje. Terreni është i vogël por merita është edhe më e madhe, që me një kontekst të vogël të arrish të nxjerrësh artistë që janë të aftë të garojnë, u shpreh ndër të tjera kuratori. Ndërkohë që studentja e vitit të tretë në degën e grafikës Sembie Gishto tregon se në ekspozitën Plastikaajo ka prezantuar një foto, pa titull me qëllim që me imazhin që ajo ofron të ngjalli debat. Fotoja është më dimension 90 me 120 cm. Është një printim i madh dhe unë nuk i kam vënë titull, pasi kam dëshirë që të hap një debat. Në foto duket që është televizor, që ka konturin plastik, ajo që del nga ai është imazhi blu, diçka jo e qartë. Unë këtë e kam lidhur me idenë e medias. Sot është një diskutim i madh nëse media bën punën e saj apo është më tepër manipulim. Mediumet merren dhe sillen në kohën e sotme si material shumë i thjeshtë, i cili mund të mos kushtojë fare dhe të kthehet dhe në art, tregon ajo. Janë tetë qese të cilat pasi janë mbushur me ujë, janë lidhur në formën e një thesi dhe janë varur. Ky punim vjen nga studentja e degës së pikturës Malvina Hasula, e cila e sjell kufizimin e ujit me anë të qeses. Transparencë është ajo që duket më pas në koncept është ndërhyrja tek elemente si uji me anë të plastikës. Janë qese të lidhura me dorën time. Është si një proces që ndodh në kushtëzimet e ndryshme që bën njeriu në natyrë etj. Kjo për mua është si një lëvizje shumë e dhunshme. Punën e kam bërë brenda ditës, sepse në momentin e fundit vendosa që të marr pjesë në ekspozitë, shprehet ajo. Më tej ajo tregon se Transparenca lindi si ide nga Koreja. Këtë unë e kam parë nga një koreane, sepse nëpër restorante ata  e përdorin për të larguar mizat, sepse efekti që krijon uji largon insektet. Mua mu duk si  një punim që largon dhe shpirtrat e këqij, shprehet ajo për Transparencën. Ndërkohë që studenti Luçjan Bedeni sjell një videomontazh, i cili ka të bëjë me operacionet plastike. Më interesoi të merrem me operacione plastike, pasi ka lidhje me ekspozitën, dhe këtë gjë e vërtetoi dhe videoja ime,tregon ai. Ekspozita është pjesë e programit Brain Gain, dhe do të jetë e hapur deri në datën 12 shkurt për publikun. Ndërkohë që gjatë ditëve në vijim në galerinë Akademisë së Arteve priten dhe të tjera ekspozita që do të prezantojnë punimet e studentëve të Fakultetit të Arteve Pamore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›