E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helikopteri, Garda në gjyq me INSIG

 

Garda e Republikës padit kompaninë shtetërore të sigurimeve INSIG, duke kërkuar dëmshpërblim për helikopterin qeveritar të rrëzuar mbi detin Adriatik mesnatën e 17 korrikut 2006. Procesi gjyqësor mes dy palëve pritet të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, ndërsa shorti ka përcaktuar Admir Thanzën si gjyqtarin që do të shqyrtojë çështjen. Në padinë e saj, Garda e Republikës kërkon dëmshpërblim për helikopterin qeveritar, i cili u rrëzua gjatë fluturimit natën në drejtim të Italisë, ku po dërgonte për kurim Gramoz Pashkon, ish-profesorin dhe politikanin e njohur shqiptar. Ai ndodhej në helikopterin "Bell 222 U", bashkë me djalin e tij Rubenin, dy pilotët Vangjel Çondi e Demush Heba, inxhinierin e fluturimit Qemal Koni dhe mjekun reanimator, Aleksandër Baloj. Të gjithë personat që ndodheshin në mjetin e fluturimit gjetën vdekjen, ndërsa trupat e tyre nuk u zbuluan asnjëherë, pasi helikopteri u rrëzua kur ndodhej mbi det e më pas humbi në thellësitë e Adriatikut.
Sigurimi
Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Tiranës, helikopteri qeveritar i cili përdorej për lëvizjet e Presidentit dhe Kryeministrit, ishte marrë në sigurim nga INSIG, me vlerën 78.000.000 lekë. Kompania INSIG sh.a., e ka konsideruar rastin si të padëmshpërblyeshëm. "Palët gjyqësore, konkretisht Garda e Republikës, ka kërkuar dëmshpërblim në vlerën e plotë të mjetit fluturues, ndërsa pala e paditur, INSIG sh.a., pretendon se në kontratën e sigurimit nuk ishin parashikuar mbulimi i udhëtimeve natën, fluturimet jashtë vendit dhe terrenet me rrezik, si rastet e motit të keq apo itineraret e fluturimit në ndikimin e turbulencave ajrore", thanë burimet zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sipas tyre, deri më tani procesi ka mbetur pezull për shkak se Garda nuk ka paguar taksën e ligjshme të padisë, 1 për qind. Për këtë shkak, Gjykata i ka kthyer padinë Gardës së Republikës për plotësim sipas kushteve të parashikuara nga ligji. Duke iu referuar shqyrtimit të dokumentacionit të çështjes, burimet nga gjykata janë shprehur se gjashtë viktimat e aksidentit, Gramoz Pashko, Ruben Pashko, Vangjel Çondi, Demush Heba, Qemal Koni dhe Aleksandër Baloj, nuk kanë qenë të siguruar.
Rënia e helikopterit
Rrëzimi i helikopterit qeveritar "Bell 222 U" ndodhi rreth orës 02:17 të 17 korrikut 2006, kur mjeti fluturues pati kontaktin e fundit me kullën e kontrollit ajror në Rinas. Deri në atë moment, fluturimi kishte rezultuar pa probleme, ndërsa koordinatat e fundit të mjetit, të raportuara nga pilotët, kanë qenë: 41°17'30"V dhe 18°51'30"L. Helikopteri po transportonte politikanin dhe ekonomistin e njohur Gramoz Pashko, i cili dërgohej për në spitalin "Aquaviva dele Fonti" në Bari të Italisë. Pashko kishte pësuar një aksident gjatë qëndrimit në plazh në jug të Shqipërisë, ndërsa në Spitalin Ushtarak të Tiranës gjendja e tij ishte konsideruar e rëndë, duke u vendosur kështu dërgimi i tij për mjekim jashtë Shqipërisë. Sipas të dhënave të hetimit të Prokurorisë Ushtarake, në momentin kur është zhdukur nga radarët, helikopteri ndodhej rreth 45 km në perëndim të Durrësit në lartësinë rreth 1000 mbi det. Prokuroria Ushtarake e cila zhvilloi një hetim disamujor për rrëzimin e helikopterit, arriti në përfundimin se mjeti fluturues kishte humbur korsinë e fluturimit në një terren ku turbulencat ajrore kanë pasur efekt të fortë, duke e konsideruar ngjarjen të ardhur nga shkaqe tërësisht aksidentale. Moti i keq, kushtet e papërshtatshme të fluturimit natën dhe fuqia e turbulencave mbi 4 ballë mbi Adriatik, ishin konfirmuar nga autoritetet italiane para se helikopteri të ngrihej në fluturim rreth orës 21:50 të 16 korrikut 2006, nga Qendra Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.                   t.s

POLITIKANI

Gramoz Pashko, i cili u nda nga jeta në aksidentin ajror të ndodhur mbi detin Adriatik, ishte një nga themeluesit kryesorë të Partisë Demokratike, personazh i spikatur në radhët e grupit "Dhjetori '90", ish-zv/kryeministër dhe ish-ministër i Ekonomisë, doktor i shkencave ekonomike dhe autor i gjashtë punimeve shkencore mbi politikën dhe ekonominë.

VIKTIMAT

Gramoz Pashko Politikan, ekonomist, datëlindja 1955 Ruben Pashko Djali i Gramoz Pashkos, datëlindja 1982 Vangjel Çondi Pilot i parë, datëlindja 1950 Demush Heba Pilot i dytë, datëlindja 1960 Qemal Koni Inxhinier fluturimi, datëlindja 1950 Aleksandër Baloj Mjek reanimator

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›