E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Pse replikova me Tadiç për Kosovën

Me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç replikova për të rivendosur një të vërtetë historike. 

Kështu ka deklaruar presidenti Topi një ditë pas samitit të Athinës, në një intervistë për BBC, ku pati edhe një replikë me homologun serb lidhur me çështjen e Kosovës.
Në fjalën tuaj në samit, ju bëtë një ndërhyrje jashtë tekstit të shkruar, e cila u interpretua si një replikë ndaj fjalëve që kishte thënë pak më parë presidenti serb, Boris Tadiç dhe që lidhej me atë që ai e quajti "dhunë të shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve". A patët ju gjatë samitit ndonjë takim qoftë dhe të shkurtër me presidentin serb?
Ndërhyrja kishte të bënte me një moment shumë të rëndësishëm, pasi ajo çka parashtroi në fjalën e tij presidenti Tadiç, ishte jo vetëm në kushtet e të vërtetës, pasi gjërat në Kosovë kanë një sfond tjetër historik dhe nuk është ashtu siç u shpreh presidenti Tadiç. Përkundrazi, janë kosovarët ata që kanë ndjerë në mënyrë të vazhdueshme persekutimin nga institucionet serbe dhe ajo që më bëri të bëja këtë ndërhyrje, ishte një moment tjetër, që kishte të bënte pikërisht me frymën e takimit. Ky takim që u zhvillua në Athinë, kishte të bënte me komunikimin, shkëmbimin e eksperiencave të secilit pjesëmarrës, për civilizimin për konsolidimin e vlerave kulturore, për rritjen e dialogut politik, dhe u duk që në fjalën e zotit Tadiç nuk kishte asnjë lloj situate kompatibiliteti midis asaj që ai shprehte dhe frymës së takimit të sotëm. Kjo qe arsyeja që unë bëra një ndërhyrje, e cila nuk kishte tendencën për të realizuar një replikë, po për të rivendosur, së paku në kushtet e këtij takimi, një të vërtetë historike, e cila u shtrembërua në mënyrë totale nga presidenti Tadiç. Ju më pyetët a kisha takim me presidentin Tadiç gjatë punimeve të konferencë. Po, e kam takuar. Nuk ka qenë një takim formal, ka qenë një takim i rastësishëm, kemi shkëmbyer në mënyrë civile një komunikim, ku e kemi pyetur njëri-tjetrin për situatën, dhe ky takim i shkurtër nuk përbën në vetvete një element për ta cituar.
Zoti President, siç e vutë dhe ju në dukje në përfundim të konferencës, takime të tilla gjithsesi, kontribuojnë në krijimin e raporteve më të shëndosha, të një fryme më të mirë dhe më konstruktive ndërmjet gjithë vendeve të rajonit, të paktën sa i përket nivelit të presidentëve. Takime të tilla janë bërë vazhdimisht, por marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit ende vazhdojnë të jenë të kapura nga një ngërç. Dhe kjo ndoshta jo vetëm për shkak të reminishencave të vjetra, por edhe për shkak të zhvillimeve të tjera të brendshme që ka secili prej këtyre vendeve. A mendoni dhe ju kështu?
Shikoni, situata në Ballkan natyrisht ka njohur një progres të dukshëm në marrëdhëniet midis shteteve, në Ballkan ka një situatë të re: Pas datës 17 shkurt kemi një shtet të ri në Ballkan, Kosovën. Dhe natyrisht marrëdhëniet nuk mund të shkojnë lege artis në komunikimin midis lidershipeve, në komunikimin midis vendeve; patjetër që Ballkani ka problemet e veta, ka problemet e veta që kanë të bëjnë jo vetëm me retrospektivën, por kanë të bëjnë dhe me aktualitetet politike. Kështu që nuk unë besoj që gjërat nuk mund të rregullohen në një ditë. Gjithmonë do të ketë probleme, sepse problemet ekzistojnë përgjithësisht, sidomos midis vendeve të rajonit ballkanik, ekzistojnë mentalitete të ndryshme, interesa të ndryshme, por ajo që duhet të merret në konsideratë është pikërisht substanca e mendimeve politike që vjen nga pjesa dërrmuese e vendeve ballkanike, të cilat në mënyrë definitive e shohin të ardhmen e tyre te integrimi euro-atlantik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›