E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Me LRI forcë e parë në Tiranë në 2009

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka vlerësuar dje rolin e Forumit Rinor për Integrim në jetën politike të vendit e veçanërisht në mbrojtjen e interesave të rinisë studentore. 

Këtë vlerësim Meta e bëri gjatë konferencës së LRI-së në Njësinë bashkiake Nr. 6 në Kombinat. "Ju jeni shpirti i LSI-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që do na bëjë të dalim fitimtarë si forcë e parë politike në Kryeqytet, e cila do e nxjerrë njëherë e përgjithmonë Sali Berishën në pension. Sali Berisha i premtoi rinisë se do i sillte në çdo fshat internetin, por i solli kiametin mes të Tiranës dhe Durrësit", tha Meta. kreu i LSI-së e cilësoi forumin rinor mjaft luftarak sa i takon edhe mbrojtjes së maturantëve në procesin e tyre të provimeve. "Vetëm LRI-ja është ai forum që në mënyrë të programuar jo vetëm i ngre, por edhe i ndjek problemet më kryesore të rinisë. Ishte Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, e cila shpall iniciativën më të re të LRI-së për të monitoruar provimet e Maturës Shtetërore, të cilat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme të kërcënuara nga korrupsioni dhe përfshirja nga veprimet jo transparente të përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit", theksoi Meta. Kreu i LSI-së i bëri thirrje të rinjve "të bëhen pjesë e pandashme, të jeni gjithmonë në pararojë të zhvillimeve të ndryshme jo vetëm të komunitetit ku ju jetoni, por të jeni e ardhmja e Shqipërisë duhet të bëheni pjesë e LRI-së". Sipas tij, "LRI-ja e Kombinatit, jo vetëm që është i vetmi forum rinor politik që ekziston këtu, por ka qenë shumë aktiv në mbrojtje të interesave të këtij komuniteti, ka qenë në krye të gjithë iniciativave për neutralizimin dhe zgjedhjen e problemit të plehrave të Sharrës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›