Kamionë e maune mes qytetit, në protestë banorët e Dibrës
DIBER/ HASAN PASHA
Banorët e Peshkopisë ngrihen në protestë për zbatimin e Kodit Rrugor. është ndoshta e veçantë në llojin e vet protesta e banorëve të një lagjeje në qytetin e Peshkopisë. Dhjetëra qytetarë kanë bllokuar një nga rrugët kryesore, për shkak se mjetet e tonazhit të lartë ndotin rrugët dhe trotuaret e qytetit dhe sipas tyre, bashkia e qytetit nuk kishte marrë masa për parandalimin e kësaj ndotje. Veç ndotjes me inerte të ndryshme, mjetet e tonazhit të lartë shkaktojnë edhe zhurma të mëdha në orare të ndryshme në rrugët e Peshkopisë. Fillimisht banorët kanë trokitur në bashkinë e qytetit dhe kishin kërkuar ndërhyrjen e policisë dhe bashkisë, por pasi nuk kishin marrë një përgjigje nga ana e tyre, organizuan dje paradite një protestë në mes të qytetit. Qëllimi i saj, sipas protestuesve, ishte sensibilizimi i autoriteteve të pushtetit lokal dhe atyre të qarkullimit rrugor se këto mjete nuk kanë të drejtë të qarkullojnë në rrugët e qytetit për disa arsye. "Kanë ndotur keq rrugët e qytetit, po dëmtojnë asfaltin dhe zhurma e tyre nuk durohet, sidomos në orët e natës", thanë për gazetën "Panorama" banorët e Peshkopisë. Iniciatorë të protestës paqësore ishin pronarët e disa lokaleve buzë rrugës, të cilët thanë se për shkak të kësaj ndotje mjedisore dhe akustike numri i klientëve të tyre ka ardhur duke rënë vazhdimisht. Me protestuesit janë bashkuar banorët e pallateve të pushtuar nga balta që krijojnë këto mjete të ngarkuara tej normave të lejuara dhe që nuk e sigurojnë ngarkesën që transportonin. Mes protestuesve kishte edhe drejtues të mjeteve motorike, të cilët u kujtonin vendorëve dhe policisë se në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë është e ndaluar të transportosh mallra që bien gjatë rrugës, që sjellin ndotje të mjedisit apo krijojnë zhurma në vende publike. Qytetarët thanë se në qoftë se Bashkia Peshkopi dhe Komisariati i Policisë nuk marrin masa për ndaljen e lëvizjes së mjeteve të tonazhit të lartë mes pallateve dhe në rrugët e qytetit atëherë protesta e tyre do të përshkallëzohet deri në bllokimin e punës në bashki. Kjo është protesta e parë, kur banorët kërkojnë zgjidhjen e një problemi shqetësues për jetën e tyre, siç është ndotja nga lëvizjet e mjeteve të rënda.