Del nga burgu, merr peng 6-vjeçarin
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
I sapoliruari nga burgu merr peng fëmijën 6 vjeç, si shenjë hakmarrjeje për të atin e tij, me të cilin kishin një “mike” të përbashkët. Ngjarja ndodhi në lagjen Kodër Marlecaj në Lezhë, kur i mituri u mashtrua nga pengmarrësi se ishte “shok” i babait të tij. Fëmija me inicialet M.P., u mbajt për rreth 24 orë i fshehur në një shtëpi të braktisur në fshatin Gjadër. Policia e Lezhës pas më shumë se 14 orë negociatash me pengmarrësin Gëzim Marku, arriti të lirojë të miturin, e më pas të bëjë edhe arrestimin e 25-vjeçarit. Sipas policisë, rreth orës 15:00 të së mërkurës, Marku është afruar te banesa e fëmijës. Kur është siguruar se i zoti i shtëpisë Anton Prenga nuk ndodhej, i riu i është afruar vogëlushit. “Më dërgoi babai të të marr dhe të shkojmë në Lezhë. Jam shok i tij”. Kaq ka mjaftuar që 6-vjeçari të ngjitet në makinën e tij, pa e ditur se e priste një aventurë e pakëndshme. Kur Gëzim Marku arriti në fshatin e tij, Gjadër, detyroi fëmijën që t’i fliste nëpërmjet telefonit të atit, Anton Prenga. Duke qarë ai i transmetoi babait gjithçka i thoshte personi që e kishte marrë me makinë. Ai e vë në dijeni babanë se ishte marrë peng. Më pas, 25-vjeçari komunikon vetë me babanë e fëmijës, ku i kërkoi të lërë të qetë të dashurën e tij. “Merre të dashurën time dhe ma dërgo tek shtëpia ime. Më njofto nëpërmjet telefonit të nënës sime kur ta kesh mbaruar këtë detyrë, përndryshe do të vras fëmijën”, mësohet t’i ketë deklaruar nëpërmjet telefonit pengmarrësi Anton Prengës. Policia e Lezhës u sinjalizua për ngjarjen nga prindërit e 6-vjeçarit. Ata vlerësuan maksimalisht këtë ngjarje, duke organizuar një operacion të koduar “Aerodromi”. Në përgjim u vunë bisedat e Anton Prengës dhe Gëzim Markut. Në bazë të telefonatave u zbulua se “pengu” ishte në një banesë të braktisur në Gjadër. Në krye të operacionit qëndronte vetë kreu i policisë së Lezhës, Mërgim Hoxha, i cili kishte disa orë që negocionte me pengmarrësin për lirimin e fëmijës. Dje policia rrethoi zonën e dyshuar dhe arriti të lirojë pas 24 orësh, shëndoshë e mirë fëmijën. Ai ndodhej në gjendje të traumatizuar, ndonëse ndaj tij nuk ishte ushtruar dhunë. Një orë pasi u lirua 6-vjeçari, rreth orës 13:10 u prangos pengmarrësi. Mësohet se Marku ishte kontradiktor në deponimet e tij. Fillimisht pretendoi atësinë e fëmijës, duke pohuar se kishte pasur lidhje me gruan e Anton Prengës, kur ky i fundit kishte qenë në burg për trafik. Por thënia e tij nuk korrespondonte, pasi vogëlushi ishte 6 vjeç, ndërsa Prenga kishte qenë në burg rreth tre vite më parë. Më pas, Marku ka pranuar se gjithçka e kishte bërë në shenjë hakmarrjeje për të trembur Anton Prengën. Kjo kishte motiv një histori dashurie. Ai kishte dalë vetëm pak kohë më parë nga burgu. Në periudhën kur kishte qenë i burgosur, e dashura e tij kishte krijuar lidhje paralele me Anton Prengën. Ky i fundit e ka mohuar një lidhje të tillë në polici. Ndërkohë që, sipas burimeve, “e dashura e përbashkët” që jetonte në fshatin Shehër ka pranuar gjithë historinë. Ajo deponoi se kishte lidhje edhe me Anton Prengën dhe me Gëzim Markun. Marku pas arrestimit pohoi se ai donte të martohej me të dashurën e tij, ndërsa Prenga kishte si qëllim ta trafikonte atë. Daja i vogëlushit kërcënon vetëgjyqësi, pasi sipas tij nuk i kishin borxh askujt për të vepruar në këtë mënyrë me një fëmijë.
Nëna: Nuk kishim konflikte
Para se djali i saj të lirohej nga pengmarrësi, Mira Prenga rrëfen momentet kur i shoqi e vuri në dijeni për ngjarjen. Ajo pohoi se e kishte lajmëruar i shoqi, pasi djali e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë duke qarë: “Babi, hajde më merr, më kanë marrë peng në një makinë”. Më pas ajo sinjalizoi policinë. Mira Prenga nuk pranoi të dinte ndonjë konflikt të familjes së saj me askënd. “Ne kemi tetë vite martesë dhe kemi vetëm Marselin gjashtë vjeç. Nuk kemi patur asnjë kontradiktë apo shqetësim gjer më tani”, pohoi Mira Prenga disa minuta para se djali i saj të lirohej nga pengmarrësi.
Marku, peng për dashurinë
Gëzim Marku, lindur në Kashnjet dhe banues në Gjadër të Lezhës, mësohet se ishte person me precedentë penalë. Ai kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu. Sipas policisë, 25-vjeçari ishte dënuar më parë me akuzat “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” si dhe “vjedhje”. Por pas daljes nga burgu, veprat e tij kriminale rëndohen deri në pengmarrjen e një fëmije. Sipas deponimeve të tij pas arrestimit, gjatë periudhës që ai kishte qenë në burg, e dashura e tij ishte lidhur me babanë e fëmijës që mori peng, dhe se e gjithë kjo ishte bërë për ta trembur dhe për t’u hakmarrë ndaj Anton Prengës.