Tritol një parukerie, dyshohet konkurrenca
Një shpërthim tritoli ka tronditur dje qytetin e Laçit. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të së dielës, rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe objekt i ngjarjes ka qenë një parukeri në lagjen nr.3 të qytetit. Mësohet se ndërtesa ishte në pronësi të L. Zizoz dhe nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por ka pasur dëmtime të konsiderueshme. Sipas burimeve të sigurta mësohet se të njëjtit objekt i është vënë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Banorët e pallatit kanë lajmëruar policinë dhe ndërhyrja në kohë e repartit të zjarrfikëses ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ndërkohë që pronarja e lokalit të parukerisë është shprehur para hetuesve se: “nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri, nuk kam pasur kurrë probleme. Nuk kam asnjë hije dyshimi pse parukeria ime është sulmuar dy herë”. Policia po punon për zbulimin e autorëve të ngjarjes dhe një nga pistat kryesore të hetimit mbetet konkurrenca.
#