Biznesi: Gjykata Administrative të kthehet për ndryshime në Kuvend
Rikthimi i opozitës në Kuvend jep shanse për aprovimin e Gjykatës Administrative. Duke marrë shkas nga kjo situatë, biznesi po shikon mundësinë e ndryshimeve të projektligjit, përpara miratimit përfundimtar në Parlament. Konfindustria, me cilësinë e institucionit nismëtar, njofton se së shpejti do të thërrasë për takim në një tryezë të përbashkët përfaqësues të të gjithë partive politike parlamentare, ekzekutivit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë e vendorë të fushës, me qëllim përmirësimin e draftit të projektligjit të Gjykatës Administrative dhe nxitjen e miratimit të tij sa më të shpejtë. “Vendimi i përshëndetur i Partisë Socialiste për hyrje dhe pjesëmarrje të plotë në Kuvendin e Shqipërisë krijon të gjitha kushtet për shqyrtimin, përmirësimin dhe miratimin e shpejtë të ligjit të Gjykatës Administrative”, tha dje administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
Mungesa e Gjykatës Administrative ka krijuar kosto të mëdha për biznesin, që vlerësohen deri në 400 milionë euro, brenda një harku kohor më shumë se 1-vjeçar. Drafti është punuar me ekspertët amerikanë, të cilat financuan projektin, si dhe me juristë nga Austria. Funksionimi i gjykatës eliminon zvarritjen e proceseve gjyqësore mes biznesit, individit dhe shtetit, sa u takon çështjeve të sanksioneve administrative.
Biznesi kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë që drafti i projektligjit për Gjykatën Administrative duhet të merret përsëri në shqyrtim nga komisionet parlamentare, për të pasqyruar vërejtjet e opozitës, si dhe grupeve të interesit, me qëllim rritjen e cilësisë dhe efektivitetit gjatë zbatimit.
Pas një shqyrtimi të hollësishëm dhe krahasues me kushtet e Shqipërisë dhe përvojën e vendeve të BE-së, shoqatat e biznesit gjykojnë se është e nevojshme përmirësimi në disa pjesë të rëndësishme e draftit të projektligjit të Gjykatës Administrative të shoqëruar dhe me ndërhyrje të domosdoshme në ligje të tjera të legjislacionit në fuqi.
#