Krimet e Rënda, zvarritjet irritojnë familjarët
21/04/2005 Tashmë është bërë e modës që një seancë gjyqësore te Gjykata e Krimeve të Rënda të shtyhet, duke patur një shkak sado të vogël. Mungesa e avokatëve mbrojtës, në disa raste e prokurorëve dhe vetë të pandehurve, bëjnë që proceset të zgjasin vetëm 5 minuta. Zvarritjet e gjyqeve pa fund kanë irrituar pa masë familjarët e të dënuarve. Kështu në seancën e djeshme gjyqësore kundër të pandehurit Gentian Zëre, akuzuar për vjedhje me armë në bashkëpunim, mungonte prokurori i çështjes, Ardian Nezha. Gjykata e ndodhur përballë këtij fakti, e shtyn gjyqin për një datë tjetër. Ndërkohë në sallë familjarët shpërthejnë në të shara dhe ulërima. E ardhur nga Amerika, motra e të pandehurit ulërinte duke kërkuar drejtësi. "Nuk mund të ndodhë kështu. Kemi ardhur nga larg dhe është e disata herë që gjyqi shtyhet. Djali mbahet prej gjashtë muajsh në burg, duke qenë i pafajshëm". Por, megjithë ulërimat e motrës së të pandehurit, gjykata e qetë la sallën e gjyqit për të shtyrë një tjetër proces për mungesë të avokatit mbrojtës Vladimir Meçi. Mosparaqitja e këtij avokati bëri që gjyqi ndaj grupit të Lushnjës dhe ai kundër nipit të Arben Malajt të shtyhet për një datë tjetër.