E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në burg me rivalin, supermasa për të penduarin e “Bandës së Durrësit”

• TIRANE – Dyfishohet numri i efektivave të policisë që ruajnë qelinë e të penduarit të “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli.Nga dy efektiva policie që kryenin shërbim në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, ku mbahet i penduari, prej tri ditësh në hyrje të qelisë së Adriatik Colit qëndrojnë katër efektiva blu. Rritja e dukshme e masave të sigurisë brenda dhe jashtë Spitalit të Burgjeve është bërë pas mbërritjes në këtë institucion të një tjetër të akuzuari të “Bandës së Durrësit”. Altin Nokolli, i akuzuar si anëtar i grupit të drejtuar nga Indrit Dokle, rival me Lulëzim Berishën, është vendosur prej tri ditëve në Spitalin e Burgut në Tiranë. Nokolli ka mbërritur aty për trajtim mjekësor pasi mbeti i plagosur në një ngjarje, ende të paqartë të ndodhur një javë më parë në qelinë nr.8 të burgut 313 në Tiranë. Ai mbahej aty që prej arrestimit gati dy vite më parë. Rreth një javë më parë ai dhe një i paraburgosur tjetër mbetën të plagosur pas një përplasje ende të paqartë me policinë e brendshme të burgut 313. Për shkak të dëmtimeve serioze që ka pësuar, Altin Nokolli është shoqëruar për në Spitalin e Burgjeve. Për shkak të mbipopullimit në këtë institucion, qelia ku mbahet ai mësohet se është në afërsi të asaj ku qëndron edhe i penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli. Ai “fundosi” me dëshmitë e tij të gjithë personat e arrestuar si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, duke dëshmuar me detaje krimet e kryera prej tyre. Nga frika e një hakmarrje të mundshme të rivalëve të tij, një prej të cilëve ndodhet në një qeli vetëm pak metra larg, policia ka rritur nivelin e masave të sigurisë që ruajnë Adriatik Colin. Policët janë porositur të mbajnë në vëzhgim të gjitha lëvizjet dhe hyrje-daljet në ambientet pranë qelisë ku qëndron i penduari i “Bandës së Durrësit”. Ai në fakt nuk kishte ndonjë shqetësim shëndetësor por u vendos rreth një vit më parë në Spitalin e Burgjeve, me qëllim që të mos mbahej në një burg me ish-anëtarët e bandës së tij, të cilët për shkak të dëshmive që ka dhënë i penduari mund të hakmerreshin ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›