“Qemal Stafa”, tryezë për politikën e jashtme
• Nisma “Me Dyer të Hapura” e fondacionit “Qemal Stafa” diskutoi dje çështjet e politikës së jashtme dhe integrimit evropian.Drejtori ekzekutiv i fondacionit, Sajmir Tahiri tha se “politika e jashtme e vendit tonë, dypalëshe apo shumëpalëshe, duhet të tutelojë interesin më të lartë kombëtar si dhe të promovojë vlerat e vendit kudo në botë”. Në fjalën e tij, kreu socialist, Edi Rama tha se “diplomacia shqiptare duhet të ndahet njëherë e mirë nga politika dhe të mos ndikohet nga ndryshimet e qeverive”. “Diplomacia jonë e re duhet të shohë me një vëmendje të re, me një sy të ri, me një përkushtim dhe vullnet të ri, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, që vazhdojnë të mbeten të izoluar, ashtu siç vazhdon të mbetet e izoluar Shqipëria dhe rajoni në kontekstin e Bashkimi Evropian, prej 450 milionë njerëzish, që qarkullojnë lirisht”, tha Rama. Kryetari i komisionit të Jashtëm i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla tha se “deri tani Kuvendi i Shqipërisë nuk ka luajtur rolin që duhet në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”. Në tryezën e djeshme merrnin pjesë ish-diplomatë të përfaqësive tona jashtë shtetit, por dhe ambasadori gjerman dhe ai grek në vendin tonë.