E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Kartat e identitetit, gati për zgjedhjet parlamentare të 2009

• TIRANE – Zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009 do t’i gjejnë shqiptarët të pajisur me karta identiteti.Ky fakt është bërë publik dje nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, një ditë pas hapjes së ofertave të shtatë firmave të huaja të interesuara për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. Sipas Nishanit, brenda muajit mars konkurrentët në tenderin ndërkombëtar për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportës së re biometrike, do të njihen me fituesin. Kartat dhe pasaportat do të jenë gati për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha dje në një konferencë shtypi, se fituesi i tenderit do të shpallet brenda muajit mars 2008. Sipas ministrit, komisioni i Tenderit dhe dikasteri i drejtuar prej tij, i kanë kërkuar kompanive që në rast se fitojnë në konkurrim, të garantojnë prodhimin e dokumenteve të identitetit, si kartat e identiteti dhe pasaportat biometrike brenda standardeve të përcaktuara nga qeveria shqiptare. Në grupin e ekspertëve që do të kryejnë vlerësimin teknik të ofertave të paraqitura nga shtatë kompanitë e huaja, sipas Nishanit janë edhe tre specialistë të Interpolit. Ministri i Brendshëm tha se, specialistët e Interpolit i janë bashkuar grupit të specialistëve shqiptarë për të dhënë ndihmën e tyre në përzgjedhjen e ofertave, bazuar në të dhënat teknike të ofruara nga firmat konkurruese në tender. Specialistët e Interpolit kanë mbërritur në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare për të dhënë ndihmën e tyre në këtë proces. Sipas kreut të dikasterit të brendshëm, karta e identitetit dhe pasaporta biometrike, që janë në këtë projekt, në variantin që ka paraqitur qeveria shqiptare, janë ndër më të mirat dhe me standardin më të lartë edhe në vendet e BE-së. Nishani prezantoi edhe shtatë firmat që kanë paraqitur ofertat e tyre, në të cilat përfshihen në total 18 kompani që kanë bashkëpunuar në organizimin e ofertave. Prodhimi i pasaportave të reja mendohet se do të nisë në mënyrë të shpejtë, me qëllim që në vitin 2009, shqiptarët të kenë kartat e tyre të identitetit dhe pasaportat e nevojshme për zgjedhjet parlamentare. “Paralelisht me këtë proces ne kemi dërguar në qeveri projektligjin, “Për Gjendjen Civile”, ku do të sanksionohet edhe pajisja e shtetasve me kartat e identitetit të nevojshme për çdo veprimtari, ku është i nevojshëm identifikimi i tyre siç është rasti i zgjedhjeve”, u shpreh ministri Nishani.              d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›