E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i 80 vetave, ndalohet përdorimi i ujit në Poliçan



POLICAN – Menjëherë pas helmimit të rreth 80 banorëve të qytetit të Poliçanit, autoritetet e Shëndetit Publik të Qarkut të Beratit, por edhe Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar ndalimin e konsumit të ujit të pijshëm. Burimet spitalore raportojnë se gjjatë ditës së djeshme është përmirësuar gjendja shëndetësore e mbi 80 pacientëve që u paraqitën në qendrën shëndetësore me simptoma të njëjta si të vjella ,diarre dhe temperaturë të lartë. Fluksi i madh i pacientëve detyroi mjekët e qendrës shëndetësore të Policanit të kërkonin ndihmë urgjente nga Shëndeti Parësor dhe spitali rajonal i Beratit i cili ka dërguar 4 autoambulanca pranë kësaj qendre në raste urgjente ndërkohë që dhe një grup mjekësh nga ky qytet ka mbërritur në Polican për të mbajtur situatën nën kontroll. Të prekur nga epidemia shkaku i të cilit mendohet të jetë konsumimi i ujit të ndotur kanë qenë grup mosha të ndryshme që nga më të vegjlit e deri tek të moshuarit.
Situata alarmante ka detyruar Bashkinë e Poliçanit të ndërpresë furnizimin me ujë të banorëve dhe fshatrave përreth ku dhe këtu ka patur të prekur me të njëjtat simptoma, pasi dyshohet së shkaktari kryesor i kësaj epidemie të jetë ndotja e tij. Të njëjtin konkluzion paraprak kanë nxjerrë edhe specialistët e ardhur nga Tirana nga Instituti i Higjenës dhe Epidemiologjisë. Burimi ku merret uji i pijshëm ndodhet në Bogovë, dhe sipas burimeve në grupin hetimor, dyshohet se ndotja mund të ketë ardhur nga përdorimi i lëndëve eksplozive në guroret afër vendburimit, gjë që mund të jetë bërë shkas për helmimin e rreth 80 personave.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›