E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Beogradi, retorikë të ashpër për Këshillin e Sigurimit



Retorikë të ashpër ka shkaktuar marrja pjesë e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit që zhvillohet në Nju Jork. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, është shprehur se Sejdiu nuk do të flasë si president i Kosovës, por si qytetar i thjeshtë. “Serbia e ka dërguar vërejtjen dhe ajo është pranuar. Sejdiu do të marrë pjesë në seancë si një qytetar privat dhe përballë tij do të shkruhet vetëm Fatmir Sejdiu”, - tha ministri serb, Jeremiç. Pas kësaj deklarate ka reaguar Prishtina, e cila ka pohuar të kundërtën. Kabineti i presidentit konfirmoi se Sejdiu ka marrë ftesë si president dhe do të flasë para KS-së si president i Kosovës. Nëse ajo që pohojnë autoritetet kosovare është e vërtetë, atëherë kjo do të jetë hera e parë që një përfaqësues i Kosovës është pjesëmarrës zyrtar i sesionit të Këshillit të Sigurimit. E veçanta tjetër e këtij takimi është mospjesëmarrja e kreut të UNMIK-ut, Joakim Ryker, ashtu siç është vepruar gjithmonë. Në këtë seancë do diskutohet raporti i ri i sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për Kosovën. Ndërkohë që veç Ban Ki Munit do të marrë fjalën edhe presidenti serb, Boris Tadiç. Plani i ri i Ban Ki Munit flet për misionet e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Ndërkohë, presidenti serb Tadiç ka bërë të ditur se gjatë adresimit të tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të përfaqësojë politikën unike shtetërore e cila e konsideron Kosovën si pjesë të vendit të tij. “Serbia nuk pranon asnjë lloj të pavarësisë së Kosovës”,-është shprehur Tadiç në një intervistë për agjencinë e lajmeve “FoNet”, duke shtuar se në Këshillin e Sigurimit do të vërë theksin në faktin se vetëm KS-ja ka kompetenca për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Presidenti Tadiç ka vlerësuar se “herët a vonë, do të hapet çështja e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës. “Herët ose vonë, sërish do të bisedojmë për një zgjidhje kompromisi”, - tha Tadiç, për të shtuar se zgjidhja e tashme për Kosovën, nuk është “realiste dhe e qëndrueshme”. Ai ka thënë se Serbia do të vazhdojë luftën e saj për Kosovën, por siç ka theksuar, “me mjete paqësore dhe diplomatike” duke treguar kujdes për ruajtjen e qetësisë në rajon dhe më gjerë.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›