“Stuhia” kap 100 pistoleta, po trafikoheshin nga Kosova drejt Tiranës
TIRANË – Një rrjet trafiku armësh nga Kosova drejt Tiranës është zbuluar nga policia, ku gjatë një operacioni të organizuar, është bërë i mundur zbulimi dhe sekuestrimi i 100 pistoletave model Mini BLOW, ndërsa 3 persona kanë rënë në pranga. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se për ndalimin e tyre është organizuar operacioni i koduar me emrin "Stuhia". Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zbulimin dhe asgjësimin e këtij rrjeti të trafikut, ishin marrë masa dhe ishin vënë në përgjim trafikantët që prej tre javësh. Operacioni "Stuhia", i organizuar nga Policia e Shtetit, në bashkepunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u finalizua mbrëmjen e së mërkurës me bllokimin në qarkun e Kukësit të 100 pistoletave dhe arrestimin në kushtet e flagrancës të katër shtetasve: Alfred Qafa, 25 vjeç, lindur e banues në Fushë Arrës, Fiqiret Onuzi, 26 vjeç, Bujar Ajeti (Germizi), 37 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe Baftjar Halilaj, 31 vjeç, banues në Kukës. Sipas burimeve zyrtare, personat e sipërcituar janë arrestuar në aksin e rrugës nacionale Fushë Arrës - Kukës duke transportuar me mjetin tip Ford Tranzit, me targa KU 077 Taksi, 100 pistoleta model Mini BLOW. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan pistoletat, automjeti tip furgon si dhe 5 aparate celulare. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e këtij trafiku. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur se armët vinin nga Kosova dhe kishin destinacion Tiranën. Pak ditë më parë policia ndaloi në Durrës dy shtetas dhe sekuestroi 7 pistoleta tip Zastava dhe Berreta. Ndërsa që nga viti i kaluar deri më tani janë organizuar tre operacione në Tiranë, Kukës dhe Durrës, ku janë sekuestruar me qindra pistoleta Mini BLOW, si dhe janë arrestuar disa persona.
20 Qershor 2008