E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret aksidentalisht të moshuarin, zhduket



DURRËS – Pasi ka plagosur me mjetin e tij një 60 vjeçar, është larguar menjëherë nga vendngjarja duke braktisur makinën me targa të huaja. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se mbrëmë, rreth orës 19.00 ka ndodhur një aksident në lagjen Nr. 17 të qytetit bregdetar, fare pranë stadiumit, ku një automjet me targa AY 057 SS, ka plagosur një të moshuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Personi i përplasur, i cili sipas policisë, rezulton të jetë 60 vjeç, ka gjetur vdekjen disa minuta pas aksidentit. Ndërsa shoferi është zhdukur duke lënë mjetin në vendin ku ndodhi aksidenti. Policia nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e shkaktuarit të aksidentit, si dhe për identifikimin e viktimës.

Vdes elektricisti, po riparonte linjën e tensionit të lartë

ELBASAN - Një 45 vjeçar, me profesion elektricist gjeti vdekjen aksidentalisht teksa po riparonte një defekt në linjën elektrike të tensionit të lartë. Burime të policisë bënë të ditur se " Air Malo, teksa po punonte në Komunën Labinot, buzë rrugës nacionale, në një linjë elektrike të tensionit të lartë e cila furnizon zonat rurale me energji elektrike, ka vdekur pas një kontakti me rrymën elektrike. Sipas këtyre burimeve, një lëvizje e gabuar në kabllin e tensionit të lartë i ka marrë jetën në vend 45 vjearit, i cili ka rënë në kontakt me rrymën. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia si dhe grupi hetimor të cilët po hetojnë për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 45 vjeçarit. Sipas burimeve policore, vdekja e elektricistit mund të jetë shkaktuar nga një gabim i momentit, i cili ka qenë me pasoja fatale.

Dënohet në mungesë me 7 vjet burg, trafikoi bashkëshorten

FIER – Gjykata ka shpallur fajtor në mungesë një person, i cili ka dhunuar dhe ka detyruar gruan e tij të prostituojë në disa shtete të Europës bashkëshorten e tij. Gjykata e Shkallës së Parë në Fier dha dje vendimin për shtetasin Ilir Çuka, të cilin e ka dënuar me 7 vjet burg (në mungesë ). Trupi gjykues la në fuqi pretencën e organit të akuzës për të pandehurin. Çuka, banor i qytetit te Fierit deri në vitin 2003, dhe më pas i shpërngulur në qytetin e Korçës, është gjykuar pa qenë i pranishëm, pasi ai nuk është kapur ende nga policia, megjithëse prej disa vitesh është shpallur person në kërkim. Trupi gjykues pasi dëgjoi provat e paraqitura nga prokurori i çështjes dhe pasi administroi dëshminë e bashkëshortes së tij, L.L., nga qyteti i Korçës, dha vendimin duke dënuar autorin e kësaj vepre penale. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se autori e ka shfrytëzuar si prostitutë bashkëshorten e tij për gati 10 vjet. i pandehuri e ka detyruar L.L të prostituojë në rrugë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, nën dhunën fizike e psikike i pandehuri e ka detyruar L.L të prostituoje edhe në disa shtete. Pas riatdhesimit në Shqipëri, viktima e ka denoncuar bashkëshortin, ndaj të cilit më pas nisën hetimet.

Gjykata lë të lirë policët bashkiakë, rrahën shoferin e autobusit

DURRËS - Të katër policët bashkiakë të Durrësit të prangosur nga policia tre ditë më parë dje u lanë të lirë nga Gjykata e Shkallës së Parë të këtij qyteti. Arrestimi i tre policëve dhe kreut të policisë bashkiake të qytetit bregdetar u cilësua i paligjshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të këtij qyteti. Në seancën e djeshme për vendosjen e masave të sigurisë për kreun e policisë bashkiake Rexhep Bulku dhe 3 kolegët e tij Bashkim Maloku, Denis Omeri, dhe Ndriçim Dervishi trupi gjykues ka vendosur të ndjekë në gjendje të lirë katër policët, të cilët fillimisht janë akuzuar për tejkalim të kompetencave. Pas shqyrtimit të dokumenteve të prokurorisë, gjykata ka vendosur të ndryshojë akuzën ndaj tyre nga tejkalim kompetencash në veprime arbitrare. Shefi i policisë bashkiake dhe 3 efektivëve të kësaj policie u denoncuan nga shtetasi Fatmir Zakova për keqtrajtim. Zakova pretendon se është rrahur nga policët bashkiak gjatë një kotrolli të autobusit në pronësi të tij, me targë DR 0366 D. Punonjësit e policisë bashkiake, gjatë kontrollit për të verifikuar pajisjen e automjeteve me licenca, janë konfliktuar e më pas e kanë goditur me sende të forta dhe me grushta shtetasin Zakova.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›