Vret tregtarin dhe vetëdorëzohet për grindjen e çastit në rrugë
DURRËS – Grindja e çastit në rrugë mes dy drejtuësve të mjeteve ka përfunduar me përdorimin e armëve, ku për pasojë ka gjetur vdekjen një 25 vjeçar nga Kukësi me banim në Lushnje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është vrarë shtetasi Kastriot Doçi, ndërkohë që është identifikuar autori i dyshuar i krimit, shtetasi Julian Saliko, i cili është vetëdorëzuar 30 minuta pas ngjarjes. Sipas tyre, ngjarja ndodhi rreth orës 19.20, fare pranë vendit të quajtur Bregu i Kanalit, në Shkozet. Doçi po udhëtonte me një mjet furgon, me targa të Tiranës, i shoqëruar nga vëllai i tij, kur në vendin e quajtur Unaza e Shkozetit, ai ka patur një përplasje teksa drejtonte mjetin me një makinë tjetër. Kaq ka mjaftuar dhe ka nisur grindja mes tij dhe shtetasit Julian Saliko, 30 vjeç, lindur dhe banues në Shkozet. Saliko e ka qëlluar me armë zjarri dhe më pas është larguar. Por, pak më vonë ai është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Durrësit.
Atentati
Dje pasdite, Kastriot Doçi, i shoqëruar nga i vëllai i tij, janë nisur me një furgon me targa të Tiranës nga Lushnja në drejtim të kryeqytetit. Pasi kanë lënë zonën e Plepave, dhe po kalonin përmes Shkozetit, për hyrë hyrë në autostradën Tiranë-Durrës, pikërisht në vendin e quajtur “Unaza e Shkozetit”, desh janë përplasur me një makinë me targa të Durrësit, e drejtuar nga Julian Saliko. Pasi kanë shkëmbyer debate me njëri-tjetrin, Saliko ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar ndaj Doçit. Për pasojë 25-vjeçari me origjinë nga Kukësi, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa atentatori është larguar nga vendi i ngjarjes, pa tentuar të qëllojë edhe ndaj vëllait të viktimës.
Vetëdorëzimi
Policia ka mbërritur në vendin ku ndodhej viktima dhe ka marrë menjëherë në pyetje vëllanë e tij. Dëshmia e tij ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për policinë, e cila ka ngritur menjëherë postblloqe në hyrje-daljet e Shkozetit për të kapur autorin e atentatit. Por rreth orës 21.30 shtetasi Julian Saliko është paraqitur vetë në komisariatin e Policisë së Durrësit. Burimet policore pohojnë se 30-vjeçari ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Sipas të dhënave të para, shkaku i vrasjes ka qenë një konflikt i ndodhur në trafik mes viktimës dhe Salikos. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Kastriot Doçi, i lindur në Kukës dhe me banim në rrethin e Lushnjës merrej me tregti me pakicë. Pikërisht në momentin që po transportonte mall drejt Tiranës me mjetin e tij, ka ndodhur një konflikt në rrugë, i cili ka patur pasoja fatale për të.
20 Qershor 2008