E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmimi në shkollë nga loja kineze

 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

Një lodër fëmijësh me efekt turbullues provokoi problemet te rreth 50 nxënës të shkollës së mesme, në Gorre të Laçit. Pako me pluhur rezulton e ardhur nga Kina, pjesë të së cilës u bllokuan dje nga policia dhe jashtë ambientit të shkollës. Vetë gjimnazistët e kanë përdorur të enjten për të luajtur, duke e lënë pjesën e mbetur në korridorin e shkollës. Pasi tre nxënëset e para dhe dy mësueset e tyre të helmuara fillimisht e kanë marrë veten, një skenë tjetër më e rëndë është përsëritur dje. Në ambientet e spitalit të Laçit, e më pas Lezhës, janë paraqitur 42 nxënëse, të cilat kishin të njëjtat simptoma: gjendje ankthi, marrje mendsh e dhimbje koke. Nxënësit, të gjitha vajza, ndodheshin në ambientet e korridorit të shkollës, në kohën e pushimit të madh, kur kanë nisur të shfaqen simptomat e ngjashme me ato të ditës së mëparshme. Vetë nxënëset e prekura tregojnë se gjatë natës nuk kanë pasur probleme. “Erdhëm në mëngjes në shkollë për mësim e pasi bëmë dy orët e para dolëm në pushim. Aty filluam të bisedojmë për ngjarjen e djeshme. Pak nga pak, disa prej nxënësve po dridheshin e po pësonin gjendje të fikëti. Na zuri paniku, kur pamë mbi 30 vetë të shtrirë përtokë”, thotë një prej vajzave, e cila gjithashtu është rrëzuar, për t’u përmendur në spital. Banorët e Fushë-Kuqes kanë bërë transportimin e tyre të menjëhershëm, duke i dërguar në urgjencën e spitaleve. Me shpejtësi, drejtori i shëndetit publik, Lulash Aroni ka urdhëruar boshatisjen e pavijonit të patologjisë, në mënyrë që të gjithë pacientët të merrnin ndihmën e parë. Fluksi ka ardhur duke u rritur minutë pas minute, duke bërë transportimin e tyre në Lezhë. Sipas mjekut Aroni, vajzat më tepër janë prekur nga simptoma e panikut, ose siç quhet ndryshe, “stres kolektiv”, pasi kanë qenë duke folur për ngjarjen e djeshme të ndodhur në shkollën e tyre. Gjithashtu, tek ato mund të ketë ndikuar dhe mendimi se në shkollë mund të ishte hedhur helm. Menjëherë ato kanë nisur të shfaqin çrregullime, si djersitja, dridhje, marrje mendsh etj, por që kalojnë shumë shpejt dhe pa rrezik për jetën. Ndërkohë, nga ana e policisë pohohet se provokimi i gjendjes së djeshme mund të jetë bërë dhe nga mbetjet e gazit nëpër korridore të shkollës, si pasojë e mosajrosjes së ambienteve. Për këtë arsye, drejtori i Shëndetit Publik i kërkoi Drejtorisë së Shkollës së Mesme Gorrë të mbyllë shkollën, deri në qetësimin e situatës. Ekspertë të policisë që hetuan ngjarjen pohuan dje se nga analizat konstatohet se nuk bëhet fjalë për lëndë helmuese, por për një lojë me origjinë kineze, e cila provokon erë të rëndë e mbytëse. Sipas instruksionit të saj, pako sapo hapet lëshon një erë të rëndë, turbulluese e për këtë arsye nuk duhet të hapet në ambiente të mbyllura. Për të zbardhur origjinën e saj dhe rrethanat sesi ka përfunduar në ambientet e shkollës, janë marrë në pyetje nxënësit e dyshuar, ndonëse asnjë nuk e ka pranuar. Hetimi për këtë çështje është regjistruar dhe në Prokurorinë e Kurbinit, për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Mësohet se janë verifikuar dhe dyqanet e tregjet në Laç, por në asnjërën prej tyre nuk u gjet pako e ngjashme me atë të shkollës së Gorrës.

Mjeku: Ishte “stres kolektiv”

Lulash Aroni, drejtori i Shëndetit Publik në Laç e ka cilësuar ngjarjen, pasojë e një stresi kolektiv. Sipas tij, paniku nga çfarë kishte ndodhur një ditë më parë dhe mendimi se në shkollë ishte hedhur helm, i ka zënë njëra pas tjetrës nxënëset. Ndonëse në shkollë dyshohej për praninë e një helmi, një grup mjekësh e specialistësh të Higjienës e ka hedhur poshtë këtë fakt, pas këqyrjes së ambientet e shkollës e ujit të pijshëm. Mjeku e specifikon si rast paniku, që zë personat të cilët diskutojnë për të njëjtën çështje. Për mjekimin e nxënësve të kësaj shkolle është përdorur ujë fiziologjik, ndërsa në rastet shqetësuese me valiume e serume. Brenda pak minutash, secila prej tyre e ka marrë veten, duke u rikthyer në shtëpi. Mjeku ka kërkuar dhe ardhjen e një psikologu nga Ministria e Shëndetësisë, që do t’u qëndrojë pranë të prekurve, deri në normalizimin e situatës, ndërkohë që shkolla do të qëndrojë e mbyllur për disa ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›