E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare, rebelohen dëshmitarët

 

Armand Bajrami

Mungesa e një prej avokatëve u bë shkak për dështimin e seancës së djeshme në gjyqin kundër anët-arëve të "Bandës së Lushnjës" në Gjykatën për Krimet e Rënda. Mbrojtësi ligjor Ardian Leka, i njërit prej të pandehurve nuk u paraqit në gjykatë, duke dështuar seancën e djeshme. Gjykata konfirmoi mbërritjen e fashikujve nga Italia për Enver Dondollakun, i cilësuar si njëri nga dy krerët e bandës dhe krahu i djathtë i kapos së saj Aldo Bare. Gjykata me anë të letër-porosive kishte kërkuar njoftimin e Enver Dondollakut në Itali për gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në Tiranë. Në seancën e djeshme në ngarkim të Aldo Bares, kreut të bandës dhe krahut të djathtë të tij Enver Dondollakut, të cilët ndodhen përkatësisht në Turqi dhe Itali, trupi gjykues pohoi mbërritjen në këtë gjykatë të dy fashikujve me akt-deklarime të Dondollakut, të dhëna në Gjykatën e Torinos në Itali. Trupi gjykues saktësoi përpara palës së akuzës dhe mbrojtësve ligjorë, se materialet e mbërritura nga Italia ishin dy fashikuj me akte të ardhura nga Gjykata e Torinos. Për shkak se ato janë shkruar në italisht, pesë anëtarët e trupit gjykues ngarkuan për përkthimin e tyre një specialiste të licencuar nga Ministria e Drejtësisë. Si kohë e arsyeshme për përkthimin e akteve, gjykata vendosi një afat 7-ditor. Për rrjedhojë, administrimi i këtyre materialeve do të bëhet i mundur nga ana e gjykatës vetëm pas një jave. Burime pranë Gjykatës për Krimet e Rënda bënë të ditur se bëhet fjalë për deklarime të dhëna nga Enver Dondollaku, ku ai shprehet dakord për gjykim në mungesë në Tiranë dhe përfaqësimin e tij nga avokati Vladimir Meçe. Aktualisht, Dondollaku po vuan në Itali dënimin prej 16 vitesh e 8 muaj burg dhënë nga drejtësia e shtetit fqinj për akuzën e trafikut të narkotikëve. Pjesa tjetër e bandës nuk ka mundur të zhvillojë seancën e radhës dje në procesin paralel me atë të Dondollakut. Mungesa e avokatit të të pandehurit Rexhep Gina e ka bërë të pamundur vazhdimin e saj. Gina ishte i vetmi i pandehur në kafazin e sallës së gjyqit, pasi të pandehurit e tjerë kishin deklaruar pëlqimin e tyre për t'u përfaqësuar nga avokatët. Pakënaqësi për shtyrjen e gjyqit kanë shfaqur edhe dëshmitarët e thirrur në këtë seancë. Nga 11 dëshmitarë të thirrur prej gjykatës, vetëm 4 prej tyre ishin të pranishëm. Vendimi për shtyrjen e gjyqit nuk është mirëpritur prej dëshmitarëve, të cilët deklaruan njëzëri se nuk do të vinin më herën tjetër në gjykatë. "Ja ku na keni. Na pyesni çfarë të doni. Herën tjetër ne nuk vijmë. Kemi punë e kemi halle. Nuk mund të vijmë javë për javë këtu", u shprehën ata pothuajse njëzëri, pasi gjykata kërkoi pyetjen e tyre në seancën e javës së ardhshme. Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina akuzohen nga Prokuroria për "vrasje me paramendim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe krijim të organizatës kriminale".

Aldo Bare, pa përgjigje nga Turqia

TIRANE - E njëjta letër-porosi që i është dërguar autoriteteve italiane për Dondollakun, i është dërguar edhe Prokurorisë e gjykatës turke për Aldo Baren, i cili ndodhet i arrestuar në këtë shtet. Ditën e djeshme, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të ridërgohet kjo letër-porosi në Turqi. Bëhet e ditur se në përmbajtjen e tyre kërkohet lajmërimi i të pandehurve se ndaj tyre ka nisur një proces gjyqësor në Gjykatën për Krimet e Rënda. Gjithashtu aty kërkohej të dihej qëndrimi i tyre për këtë proces, nëse duan që të vazhdonte në mungesë të tyre dhe se nëse po, të zgjidhnin përfaqësuesin ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›