E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria apelon lirimin e të akuzuarit

 

Prokuroria e Gjirokastrës ankohet në Gjykatën e Lartë për lirimin e njërit prej dy vëllezërve përmetarë që vranë kunatin e tyre më 19 gusht të vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, dënimi i njërit prej të akuzuarve Ardian Shabani me 10 vjet e katër muaj burg dhe lirimi i tjetrit; Shkëlzen Shabani si i pafajshëm, veç të tjerash është konsideruar nga ana e akuzës edhe si rrezik për djalin e viktimës. Kundër pafajësisë së njërit prej vëllezërve është shprehur edhe njëra prej gjyqtareve të Apelit Gjirokastër, e cila ka akuzuar si bashkëfajtorë të dy të akuzuarit. Sipas vendimit të Apelit, në fakt vetëm dy gjykatës kanë qenë dakord me këtë. Ngjarja ka ndodhur më datë 19 gusht të vitit të kaluar, kur dy të akuzuarit po udhëtonin me makinë nga Përmeti për në Këlcyrë. Në të njëjtën rrugë me ta po ecte edhe viktima, Tomorr Malka, burri i motrës së tyre së bashku me të birin Sajmir Malka 16 vjeç dhe dy shtetase rumune. Sapo e kanë parë makinën e kunatit të tyre, dy vëllezërit e kanë parakaluar dhe pastaj i kanë bllokuar rrugën. Pasi e kanë ndaluar ata i kanë kërkuar viktimës të dalë jashtë, por ai ka mbyllur siguresat e dyerve të mjetit. Në këtë moment Ardiani ka qëlluar me shkelm xhamin e makinës, duke e detyruar viktimën të dilte jashtë. Ai pasi është përleshur me kunatin e vet është larguar me vrap drejt një kamioni që kishte ndaluar nga bllokimi i rrugës. Pas sediljes së pasagjerit ai ka gjetur një levë hekuri dhe me të është përpjekur të mbrohej, por ka qenë e pamundur, pasi njëri prej kunetërve ia ka rrëmbyer dhe me të e ka qëlluar rreth 17 herë në kokë dhe trup, duke bërë që të mos i shpëtonte vdekjes, edhe pse u përcoll në spital. Pas kësaj u arrestuan të dy vëllezërit, nga të cilët e mori përsipër fajësinë Ardiani, ndërsa Shkëlzeni u shpall i pafajshëm, pas procesit që u zhvillua duke aplikuar procedurat e gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit të faktit që u la në fuqi nga Apeli, Ardian Shabani u dënua me 16 vjet burg, dënim nga i cili i zbritet një e treta, ndërsa vëllai i tij u lirua si i pafajshëm. Ndërsa gjykatësja e Apelit, e cila është shprehur kundër këtij vendimi është mbështetur në deklarimet e djalit të viktimës, që pohon se të dy dajat e tij e kanë kryer së bashku krimin. Po kështu, sipas djalit të viktimës, të cilit i referohet gjykatësja, ata kishin vepruar edhe dy vite para ngjarjes teksa ishin emigrantë në Itali, ndërsa shkak për zënkat ishte pretendimi i të pandehurve se viktima kishte braktisur motrën e tyre dhe bashkëjetonte me një tjetër grua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›