E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejoi kalimin e klandestinit në kufi, ish-oficeri në gjyq me trafikantin

 

TIRANE - Një ish-efektiv i policisë së Rinasit, që akuzohet se ka lejuar kalimin e parregullt të një udhëtari në pikën kufitare, përfundon në bankën e akuzës në gjykatë së bashku me klandestinin dhe trafikantin e tij. Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj tre të akuzuarve, Elton Hazizi, ish-oficer i policisë dhe ish-kontrollor në Rinas,  Mahmut Bekteshi dhe Kujtim Emiri, përkatësisht personi që po kalonte si klandestin dhe i akuzuari për trafikimin e tij. Më 23 maj 2008 personi që kaloi në mënyrë të parregullt në Rinas me një pasaportë të falsifikuar, u ndalua në bordin e avionit me të cilin do të udhëtonte. Menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme verifikoi procedurat dhe zbuloi se kontrollori i policisë nuk kishte zbatuar korrekt kontrollin e pasaportës së falsifikuar, madje ai u akuzua se kishte lejuar kalimin nga sporteli për personin që po trafikohej. Në këtë mënyrë kontrollori u arrestua për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa udhëtari për akuzën e përdorimit të dokumenteve false. Bashkë me ta në një çështje penale u akuzua edhe personi i tretë, i cili kishte gjetur pasaportën për klandestinin që kërkonte të largohej nga Shqipëria. Sipas hetimeve të bëra nga SHKB-ja dhe Prokuroria, dyshohet se ish-kontrollori i Rinasit ka pasur një marrëveshje paraprake me klandestinin për të lejuar kalimin e tij. Nga deklarimet e dhëna prej personit që u ndalua në bordin e avionit, por edhe nga hetime të tjera, policia arriti të zbulonte se klandestini ishte porositur që me pasaportën false të kalonte vetëm te sporteli ku ndodhej oficeri i arrestuar, pasi siç duket gjërat ishin vendosur më parë. Të pandehurit nuk kanë pranuar akuzat, ndërsa pritet që gjykata të marrë në shqyrtim provat e mbledhura gjatë hetimeve paraprake për këtë çështje. Personi që kaloi si klandestin dhe po qëndronte në avionin që do të nisej nga Rinasi në drejtim të Francës, paraqiti në pikën kufitare një pasaportë që i përkiste Mahmut Bekteshit. Mirëpo në të vërtetë personi që mbante dokumentin e identifikimit ishte tjetër nga ai që paraqitej në pasaportë. Në këtë mënyrë u zbulua edhe falsifikimi i dokumentit dhe përdorimi i tij për të kaluar kufirin me një vizë false të vendosur në faqet e brendshme të pasaportës. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›