E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëngjin, bllokohen 26 makina

 

LEZHE - Rajoni i Policisë së Shëngjinit në aksion për makinat dhe motorët pa dokumente, si dhe për të verifikuar personat që mund të shkaktonin incidente. Në kuadër të masave të marra për sigurimin e rendit dhe qetësisë në plazhin e Shëngjinit dhe për shmangien e aksidenteve, forca të shumta të policisë finalizuan dy ditë më parë këtë operacion. Ata nisën me bllokimin e makinave pa dokumente si dhe ndalimin e personave që lëvizin me armë pa leje. Që nga muaji qershor e deri në mes të gushtit janë bllokuar 26 makina, ndërsa janë ndaluar katër persona me akuzën e prishjes së rendit dhe qetësisë, dy prej të cilëve mbanin dhe armë pa leje. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, Elona Nika, që nga hapja e sezonit turistik në komunën e Shëngjinit janë ngritur postblloqe policie në hyrje dhe dalje të saj, duke kaluar në sitë mjetet pa dokumente. Në këtë mënyrë është parashikuar parandalimi i aksidenteve rrugore dhe moslejimi i personave që lëvizin me armë pa leje të depërtojnë mes pushuesve. Policia e Lezhës gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara nëpër automjete ka pasur prioritet të saj edhe ndalimin e personave në kërkim. Megjithë shtimin e forcave të policisë dhe kontrolleve të shumta të saj nuk ka pasur të ndaluar, të cilët duket se u janë shmangur vendeve publike, ku uniformat blu janë më të përqendruara. Aksioni pritet të vazhdojë deri në shtator, atëherë kur shënohet dhe fundi i sezonit. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›