E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Helmohet" kombëtarja U19, me diarre në ndeshjen me Maqedoninë

TIRANE- Një skandal i rëndë ka goditur kombëtaren e 19 vjeçarëve, përpara miqësores me Maqedoninë, që u luajt të shtunën e 27 gushtit në Pogradec.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Skënder Gega kanë zbritur në fushën e lojës me të vjella, si rezultat i një helmimi të pësuar nga ushqimi, gjatë qëndrimit në një nga hotelet e Durrësit. Gjithçka i ka ngjarë një filmi horror, teksa lojtarët shpesh kanë lënë fushën e lojës për të shkuar në banjë dhe për të vjellë.

Lajmi konfirmohet nga burime të brendshme të ekipit kombëtar të 19 vjeçarëve, sipas të cilave, një nga arsyet e humbjes 0-2 që kjo përfaqësuese pësoi të shtunën, ishte edhe gjendja shëndetësore e futbollistëve.

"Pjesa më e madhe nuk ishin në gjendje të luanin dhe në çdo pesë minuta shkonin në tualet. Ishte e tmerrshme, lojtarët i shihje të vraponin herë pas here për të vjellë. Ndoshta ne do të ishim mundur sërish, por një ndikim të madh pati edhe gjendja e tyre", bëri të ditur një prej pjestarëve të kombëtares Under 19. E në fakt, në fushën e lojës futbollistët nuk kanë qenë aspak në formë të mirë, pavarësisht se maqedonasit kanë treguar një nivel më të lartë loje. E pyetur nga GSH, Federata Shqiptare të Futbollit ngurron të thotë se ishte helmim. Sipas saj futbollistët janë goditur nga ndonjë epidemi.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›