E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida “speciale” e Canës, në fushë kundër shokëve

TIRANË- Ndeshja me Francën është e veçantë për Lorik Canën, i cili në momentin e hedhjes së shortit dy vjet më parë, ëndërronte të ishte në një grup me kombëtaren e “Gjelave”. Mesfushori kuqezi do të ketë përballë një pjesë të mirë të shokëve të tij kur luante me Marsejën, duke nisur nga futbollistë si Frenk Riberi apo Samir Nasri.

Cana e Riberi kanë qenë dy nga lojtarët kryesorë të Olimpikut të Marsejës, në kohën që kjo e fundit drejtohej nga belgu Erik Gerets dhe ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion. Por, francezi më pas kaloi te Bajerni i Mynihut, duke ftuar shpesh edhe Canën të luante aty. Madje, shqiptari ishte shumë pranë kalimit në një moment, por në fund bavarezët preferuan të merrnin Anatoli Timoshuk.

Sa i përket Nasrisë, është e paharrueshme një histori e vitit 2007, kur Cana e merrte në krahë pas një dëmtimi dhe e çonte te mjekët talentin atëherë vetëm 19 vjeçar. Nasri pësoi një dëmtim dhe u shtri në tokë prej dhimbjeve gjatë një ndeshjeje stërvitore, ndërkohë që Loriku nuk priti ardhjen e barrelës, por e çoi me të shpejtë në cep të fushës. Një gjest që fitoi duartrokitjet e tifozëve. Në fund të atij sezoni, Samir Nasri u transferua tek Arsenali, ndërsa Cana qëndroi edhe një vit në “Velodrome” të Marsejës, për të kaluar në verën e vitit 2009, te Sandërlendi. Veç Riberi e Nasri, Cana ka luajtur bashkë edhe me futbollistë si Valbuena, portieri Mandanda apo Kabaje.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›