E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro optimist: Në shtator jemi gjithnjë në formë

TIRANË- Franca është një ekip me shumë peshë në futbollin europian apo botëror, por për Klodian Duron, ajo nuk është shumë ndryshe nga skuadrat e tjera të mëdha që kanë shkelur në “Qemal Stafa”.

Mesfushori kuqezi, duke folur nga qendra e grumbullimit të kombëtares në Durrës, është shprehur optimist për një rezultat pozitiv ditën e premte, por sipas tij, kjo mund të arrihet vetëm duke luajtur të gjithë së bashku. “Në historinë e ekipit kombëtar kemi parë shumë skuadra të forta në Europë dhe në botë dhe këtu hyn edhe Franca, - u shpreh Duro. – Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shumë e veçantë, por për mendimin tim, është e fortë njësoj sa ndeshjet me Suedinë, me Portugalinë, me Rusinë apo Greqinë”, shton ai.

Sipas Duros, miqësorja me Malin e Zi ka rritur jo pak moralin, ndërsa ai kërkon edhe ndihmën e tifozëve. “Kur ne kemi qenë të bashkuar, kemi ditur gjithnjë të marrim pikë. Franca nuk bën përjashtim nga ekipet e tjera të mëdha, por në shtator ne kemi qenë gjithnjë në formë dhe kemi ditur të bëjmë ndeshje të mira, sidomos në “Qemal Stafa”. Me përkrahjen e publikut mund të arrijmë diçka, - tha ai. – Një barazim? E them hapur këtë, nëse do më thoshin të firmosja për barazim para ndeshjes, do të pranoja”, deklaroi Klodian Duro.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›