Helsinki: "Psiokopatët" të largohen nga Spitali i Burgut
26/11/2004 TIRANË- Që në momentet e para, gazeta "Metropol" ka trajtuar problemin e të dënuarve me sëmundje mendore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e Spitalit të Burgut. Pasi janë bërë disa herë intervista dhe marrë prononcime nga drejtues të Spitalit të Burgut, që e quajnë të padrejtë këtë fenomen, në këto ambiente është bërë edhe një inspektim nga ana e përfaqësuesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas raportit të nxjerrë nga ky komitet, gjendja e të sëmurëve psikikë në Spitalin e Burgut vlen për të dëshiruar. Në kushte jo normale dhe pa trajtim të veçantë vazhdojnë të qëndrojnë në këtë spital 55 të dënuar me sëmundje mendore. Janë quajtur persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për vetë faktin se kanë kryer vrasje, kryesisht brenda familjes dhe tjetra, se kanë kaluar në depresion nervor. Nga ana e drejtuesve të burgut është thënë disa herë se ky kontigjent të dënuarish kërkon trajtim të veçantë, madje edhe një ndërtesë të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve. Por, edhe pse bisedimet janë bërë midis Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë, deri tani nuk është arritur asgjë konkrete. Të sëmurët psikikë vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin spital ku kurohen edhe të dënuarit normalë. Më e keqja është se, në këtë spital, janë gjithsej 82 shtretër. Nga ky numër, 55 janë zënë nga të sëmurët psikikë dhe pjesa tjetër shërben për të dënuarit e tjerë. 13 të dënuar të sëmurë, sipas të dhënave nga spitali, janë të paralizuar. Ndërsa në një sektor të veçantë vazhdojnë të qëndrojnë në gjendje depresive 5 gra të dënuara për krimin e vrasjes. Në Ministrinë e Drejtësisë, shprehen se ky është një problem shumë shqetësues, por që ende nuk i ka ardhur radha për t'u trajtuar. Kur flitet për radhën e veprimeve duhet të kujtojmë se bëhet fjalë për fondet e veçanta që duhet të jepen për këtë kontigjent të dënuarish. Sipas burimeve në Spitalin e Burgut, këta të dënuar, përveç se duan një godinë të izoluar nga të tjerët, kanë nevojë edhe për një ekip të specializuar mjekësh dhe psikologësh. Por me sa duket këto probleme do të vazhdojnë të diskutohen, pasi një zgjidheje e veçantë ende nuk është gjetur.