E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërporosi në Belgjikë për Altin Arapin

26/11/2004  

TIRANË – Seanca e parë e procesit ndaj dy të pandehurve, Altin Arapi dhe Imelda Tasho, ishte e destinuar të dështonte. Altin Arapi akuzohet se në 29 shtator 2003 ka vrarë në qendër të Tiranës, Genci Sinën, shoferin e Theodhori Sollakut. Vrasja, sipas akuzës, ka ndodhur me paramendim.

Letërporosia

Megjithëse në dosje Gjykata kishte të përcaktuar vendndodhjen e Altin Arapit, që është Belgjika, trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Sandër Simoni, përsëri nuk ishte i bindur për të deklaruar mungesën. Simoni vendosi dje, që për të marrë konfirmimin e Altin Arapit do të duhej të dërgonte nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë një letërporosi. Vetëm pasi të ketë marrë këtë njoftim, që zgjat deri në datë 10 dhjetor, do të konfirmohet mungesa dhe gjykimi do vazhdojë rregullisht. Për të marrë një konfirmim sa më të shpejtë nga Altin Arapi në Belgjikë, bëri premtimin edhe avokati i caktuar nga familja Dylber Mani. Ndërsa avokatët Riza Icka dhe Bashkim Sulstarova thanë dje se, nuk e quajnë të drejtë vendimin e gjykatës, për vetë faktin se në dosje është e përcaktuar qartë se ku gjendet në këto momente i pandehuri Arapi. Sipas avokatit Riza Icka, Arapi ndodhet në Belgjikë dhe ka marrë azilin politik. Por gjykata u shpreh se në dosje nuk ka adresën e saktë të tij për të komunikuar dhe për të konfirmuar më pas mbrojtjen e tij nga avokati Dylber Mani.

Tasho

E pandehura Imelda Tasho ishte e vetme dje në sallën e gjyqit. Ajo ndodhet në gjendje arresti që nga data 30 tetor e vitit 2003. Erdhi në gjykatë me tri akuza, atë të moskallëzimit të krimit, përkrahjes së autorit të krimit pas kryerjes si dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta. Vepra e fundit lidhet me një biçak të gjetur në shtëpinë e saj nga policia gjatë kontrollit të banesës. Ndërsa dy veprat e para kanë të bëjnë me gjendjen e saj në taksi natën e 29 shtatorit 2003, në momentin kur u vra Genci Sina, shofer i Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Për vrasjen e Sinës akuzohet Altin Arapi. Motivet e vrasjes nuk janë bërë të ditura asnjëherë, megjithëse nga ana e Arapit është mohuar gjithçka.

Akuza

Në datën 30 shtator 2004, drejtësia belge i ktheu përgjigje negative Prokurorisë së Përgjithshme të vendit tonë, për ekstradimin e Altin Arapit. Arsyet e mosekstradimit janë të shumta, megjithatë ato nuk u bënë të ditura para gjykatës. Për Prokurorinë e Përgjithshme, Altin Arapi është i vetmi person që akuzohet për vrasjen e Genci Sinës. Por e gjithë e vërteta e kësaj vrasje do të mund të zbardhet vetëm para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Akuza përfaqësohej dje në procesin kundër Tashos dhe Arapit nga prokurorët, Enrik Ligori, Genci Qano dhe Etjen Kapo. Prokurorët nuk arritën të thonë asnjë fjalë në lidhje me akuzat, pasi më parë duhet të konfirmohet adresa e Altin Arapit në Belgjikë dhe të jepet nga ana e tij një prokurorë përfaqësimi në gjyq. Avokati Dylber Mani nuk mund ta përfaqësojë të pandehurin në gjyq pa prokurën e firmosur nga vetë ai.

Alma Çuka

Akuza

Janë gjithsej 24 vepra penale në dosje, që sipas prokurorisë i ka konsumuar për katër vjet radhazi organizata “Hakmarrja për Drejtësi”

Seancat

Që nga viti ‘98-të, kur ka filluar procesi, në gjykatë janë zhvilluar afro 80 seanca pa praninë e të pandehurve dhe me prokurorë të ndryshëm.

Të pandehur

Kanë qenë 11 të pandehur të arrestuar në ‘98-ën, të cilët kanë ikur nga qelitë në pranverën e ‘97-ës dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë seance gjyqësore.

I vdekur

Vetëm njëri nga të pandehurit ka vdekur dhe për të është pushuar çështja. Enkelejd Ago është gjendur i djegur në makinë në malin e Dajtit në ‘99-ën.

Të arrestuar

Dy ditë më parë është arrestuar në Kodër-Kamëz i shndërruar në tregtar Gëzim Gjoni, një nga antarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”. Sot gjykata vendos për të masën e sigurisë.

Kohëzgjatja

Procesi i nisur në ‘98-ën ende nuk ka përfunduar. Mund të jetë çështja që ka zgjatur më shumë në hetim dhe gjykim pasi ka dhe shumë seanca që ajo të marrë fund.

Të pandehurit

Orik Shyti

Leart Shyti

Altin Arapi

Nikolin novruzaj

Pasho Novruzaj

Gentian Caka

Kreshnik Spahiu

Roland Shyti

Dritan Hate

Gëzim Gjoni

Enkelejd Ago (i vrarë)

30 tetor 2003

Arrestohet në Belgjikë Altin Arapi. Akuzohet si vrasës i gardistit Genci Sina, shoferit të familjes së prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku. Bashkë me te arrestohen të njohurit e tij Artan dhe Gazmend Sadiku

30 tetor 2003

Arrestohet në Tiranë, punonjësja e Ministrisë së Jashtëme, Imelda Tasho, e dashura e Altin Arapit. Akuzohet si bashkëpunëtore e Arapit në vrasjen e Genci Sinës me 29 shtator 2003

Dhjetor 2003

Sipas avokatëve mbrojtës, Altin Arapi, ka paraqitur një kërkesë pranë gjykatës belge, ku pretendon të marrë strehim politik dhe refuzon ekstradimin në Shqipëri

Shkurt 2004

Gjykata e Shkallës së Dytë të gjyqsorit pritet të marrë vendimin e formës së prerë së shpejti për ekstradimin e Altin Arapit nga Belgjika në Shqipëri Brenda marsit të këtij viti

25 nëntor 2004

Seanca e parë për Altin Arapin dhe Imelda tashon shtyhet për të verifikuar vendndodhjen e të pandehurit Arapi dhe paraqitjen e avokatit me prokurë të firmosur prej tij

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›