Henin-Williams, në finale

Justine Henin do të takohet me kampionen në fuqi, Serena Williams në finalen e Australian Open, pasi të dyja fituan ndeshjet e tyre gjysmëfinale në dy sete. Williams arriti në finalen e saj të pestë në Melbourne, pas fitores së mundimshme 7-6 (7-4), 7-6 (7-1) ndaj kinezes Li Na.
Ndërsa, Henin shkatërroi Zheng Jie me rezultat 6-1, 6-0 në sete në gjysmëfinalen e dytë, të enjten. Henin është duke u paraqitur në turneun e saj të dytë, pas rikthimit nga pensioni, 18 muaj më parë. Belgia është vetëm një fitore prej përsëritjes së suksesit të bashkëkombëses Kim Clijsters, e cila fitoi US Open në shtator të vitit të kaluar, në Grand Slam turneun e parë, pas largimit të përkohshëm nga sporti.
Te meshkujt, Andy Murray kaloi për herë të dytë në karrierë në finale të një Grand Slam turneu, pas rikthimit nga starti i dobët, për të mposhtur kroatin Marin Cilic, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të enjten. Britanezi 22-vjeçar fitoi 3-6, 6-4, 6-4, 6-2 pas tre orë e një minute lojë. Murray i cili kishte kaluar në finale të US Open 2008 do ta presë fituesin e ndeshjes së dytë gjysmëfinale, ndërmjet Roger Federer dhe Jo-Wilfried Tsonga, e cila zhvillohet të premten.
Meshkujt:
Murray - Cilic 3-6, 6-4, 6-4, 6-2
Femrat:
Henin - Zheng 6-1, 6-0
Williams - Li 7-6, 7-6