E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri i pari

Ferrari ka prezantuar bolidin me të cilin shpreson të kthehet në fron në Formula 1, pas një viti dëshpërues më 2009. Bolidi F10 u zbulua të enjten në bazën e ekipit në Maranello, Itali. Atë do ta vozisin kampioni i dyfishtë i botës, spanjolli Fernando Alonso i cili i është bashkuar ekipit nga Renault, në vend të Kimi Raikkonen dhe braziliani Felipe Massa.

Shefi i ekipit Stefano Domenicali tha : “Vijmë nga një sezon që nuk ishte sfidues dhe kjo duhet të shënojë një pikë kthimi. Ne duam të fitojmë”. Massa do të jetë ngasësi i parë që do ta testojë bolidin F10 në pistën në Fiorano, të hënën. Prezantimi i bolidit shënon një fillim të ri për Massan, i cili mungoi në tetë garat e fundit më 2009 pas aksidentit që i rrezikoi jetën në kualifikime për garën për Shpërblimin e Madh të Hungarisë. “Ky është moment i veçantë për mua, sepse viti i kaluar ishte shumë i vështirë pas incidentit”, tha Massa i cili u bë baba në nëntor. “Jam shumë i lumtur, dhe tani dua të punoj më tepër se kurrë. Shpresoj se ky do të jetë bolid sfidues dhe do të luftojmë për titull”, shtoi ai.

Massa mund ta gjejë një rival të fortë në ekipin e tij, pas ardhjes së kampionit të dyfishtë Alonso. Spanjolli synon të luftojë për titullin e tretë. “Ky është prezantimi im i parë në Ferrari dhe ndihem shumë i emocionuar. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me sfida dhe të marrim përgjegjësi për realizimin e potencialit maksimal të këtij bolidi. Felipe dhe unë do të jemi ekip i fortë dhe shpresoj që do të bëjmë krenar të gjithë tifozët e Ferrarit në mbarë botën me titullin e kampionit”, tha Alonso.

Shumë ekspertë të Formulës 1 janë duke parashikuar betejë të ashpër ndërmjet ngasësve të Ferrarit, e sidomos pas marrëdhënieve të tensionuara mes Alonsos dhe Lewis Hamiltonit, kur të dy ishin në McLaren më 2007. Për tani, shefi i Ferrarit Domenicali ka theksuar se pret që të dy ngasësit të sjellin sukses në ekip. “Fernando është kampion i dyfishtë i botës dhe ne besojmë se do ta fitoj titullin e tretë. Ai tashmë është në mesin e kampionëve të mëdhenj të Formulës 1 dhe tani është momenti më i mirë për të, dhe për ne. Por, ne kemi dy ngasës të rinj. Pse dy ngasës të rinj? Sepse kemi version të ri të Felipes. Pas një kampionati dramatik si vitin e kaluar dhe aksidentit në Hungari, Felipe ka të gjitha kualitetet për të dëshmuar se mund të jetë shumë i suksesshëm”, u shpreh Domenicali.

Ferrari fitoi vetëm një garë vitin e kaluar, pasi kishin fituar titullin më 2007 me Raikkonenin dhe humbën për vetëm një pikë më 2008. Ferrari ka kthyer emrin tradicional të bolideve (F qëndron për Ferrari e përcjell nga viti). Bolidi është i ngjyrosur në të kuqen tradicionale të Ferrarit, por krerët i ka të ngjyrosur me të bardhë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›