Henri: Ndeshja e dytë do të jetë më e hapur
Sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri, pret që ndeshja e dytë ndaj Mançester Junajtid në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, do të jetë më e hapur. "Do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe nga ajo e takimit të parë, pasi ne mund të kemi më shumë hapësira për të sulmuar, por edhe ata do të krijojnë më shumë rreziqe. Ata nuk luajtën lojën e tyre në sfidën e parë, por tani presim diçka tjetër. Mançesteri kërkoi të luante një lojë ofensive, por nuk ia arriti, pasi nuk është e lehtë të luash në këtë mënyrë në shtëpinë tonë", u shpreh sulmuesi francez, i cili pritet ta nisë takimin nga stoli i rezervave. Ai ka luajtur shumë shpesh në "Old Traford" gjatë periudhës kur aktivizohej me Arsenalin. "Do të ketë një atmosferë të ndezur, sepse kjo është një ndeshje e rëndësishme pas takimit me Çelsin, ndërsa e dinë që nuk do ta kenë të lehtë. Me Arsenalin kam luajtur shumë ndeshje aty, të cilat kanë qenë beteja të vërteta", deklaroi Henri.