E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uejn Runi dhe Vidiç, shqetësimet e Ferguson

Sulmuesi i Uejn Runi dhe mbrojtësi Nemanja Vidiç munguan në stërvitjen e Mançester Junajtid gjatë ditës së djeshme, duke bërë të lindin dyshime për aktivizimin e tyre në sfidën ndaj Barcelonës. Runi mori një goditje në ije para se të shënonte golin e barazimit në humbjen 2-1 përballë Çelsit, ndërsa Vidiç ka marrë një goditje në fytyrë. Të dy futbollistët janë pjesë e formacionit titullar të skuadrës në këtë edicion, duke qenë vendimtarë me lojën e tyre. Goli i shënuar të shtunën e çoi në 18 numrin e rrjetave të tundura nga Runi në këtë sezon, ndonëse sulmuesi vazhdon të humbë shumë raste para portës. Ndërsa Vidiç, i cili nuk mori pjesë në ndeshjen e parë ndaj katalanasve për shkak të një infeksioni në stomak, luajti vetëm 8 minuta kundër Çelsit. Ai u largua me barelë nga fusha pas një përplasjeje me Didier Drogba, që e goditi me gju në fytyrë. Stërvitje të veçuar kanë bërë dje edhe Ferdinand, Hargrivs, Kerrik dhe Braun.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›