E Shtunë, 31 Tetor 2026

Henri si Shevçenko, thyen zemrat e tifozëve!

Një nga lëvizjet e fundit të merkatos botërore që bie në sy është ajo e francezit Tierri Henri nga Arsenali tek Barcelona. Me të vërtetë Henri është një lojtar profesionist dhe është krejt normale që të transferohet nga një klub tek një tjetër, por një gjë është e sigurtë dhe Henri si Shevcenko kohë më parë kanë thyer më dysh zemrat e qindra-mijëra tifozëve. Në plan të parë duket si një histori e përsëritur kjo e francezit, pasi të gjithë kujtojmë largimin e hidhur të Shevcenkos nga Milani tek Celsi, kur vetë ukrainasi në deklaratën e lamtumirës është shprehur se kam kuptuar në sytë e të gjithë tifozëve keqardhjen për largimin tim nga Milano, por ju lutem respektoni vendimin tim. Ndërsa 1 vit më parë krejt të kundërtën bëri Henri, i cili kishte oferta serioze nga shumë klube në to dhe Milani, por vendosi të qëndronte në Londër dhe deklaroi që kuptova në sytë e ë gjithë tifozave të Arsenalit që nuk mundet të largohem, dhe do të qëndroj vetëm prej tyre tek "topcinjtë". Por në fakt këtë vit me transferimin e tij tek Barca, francezi ka gënjyer jo vetëm tifozët e Arsenalit, por dhe vetveten.
Si Shevcenko ashtu dhe Henri ishin dy flamuj për skuadrat e Milanit dhe Arsenalit, ndaj dhe tifozeritë përkatëse i dashuronin pa kufij dhe për ta ishin gjithcka. Por më kot këta lojtarë shprehin gjoja "dashuri" për tifozët e tyre, pasi si i thonë fjalës: Njeriu i mirë duket që në sy. Për shembull shikoni Riki Kaka, tek ky njeri mundet të kuptoni lidhjen shpirtërore tifozeri-futbollist. Do të thoni ju që dhe Kaka është larguar nga Sao Paulo, por atëherë ishte vetëm 22-vjecar dhe nuk ishte kthyer ende një simbol për klubin dhe tifozët e Sao Paulos. Ndërsa Shevcenko dhe Henri largohen në një moshë gati 30-vjecare, në një moment që do të ishte bukur ta mbyllnin karrierën me skuadrat e Milanit dhe Arsenalit.
Lojtar të tjerë simbol janë dhe Stiven Xherard i Liverpulit, ky lojtar po që është vetë shpirti i tifozerisë "The Reds" duke i deklaruar besnikëri të pavdekshme këtij klubi. Shembullin e parë të keq për largimin e një idhulli e dha Majkëll Ouen i larguar tek Reali Madrid nga Liverpul, skuadër në të cilën ishte dhe kapiten dhe gjithashtu një idhull i padiskutuar për tifozerinë e kuqe. Tek Reali ai nuk arriti asgjë në planin personal, madje pati një renie të dukshme të formës së tij sportive. Ndërsa shembullin e fundit e ka dhënë ukrainasi Shevchenko me largimin e tij tek Celsi, jo vetëm që nuk ngriti më kokën si futbolist, por për herë të parë gjatë karrierës së tij sportive i është vënë në dyshim vendi i titullarit. Shumë lojtarë të tjerë me një histori gati të njejtë nuk duhet të përsërisin të tilla gabime, jo vetëm për karrierën e tyre prej futbollisti, por dhe duke menduar për zemrat e mijëra fansave, të cilët e konsiderojnë si heronjtë e tyre të pavdekshëm, por që një ditë të bukur i tradhëtojnë pa pyetur fare për ndjenjat dhe zemrat e tyre futbolldashëse.

© albania-sport.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›